E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gjonçaj: 8 kandidatë të kualifikuar për anëtarë të KLGJ-së dhe 6 kandidatë për anëtarë të KLP-së

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Nën drejtimin e kryetares Klotilda Bushka u zhvillua mbledhja e radhës së nënkomisionit “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve”.

Në rendin e ditës ishte dëgjesa me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj, në lidhje me raportin e dërguar prej tij pas verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave të paraqitura për vakancat e krijuara në KLGJ dhe KLP nga radhët e avokatëve.

Gjonçaj bëri një përmbledhje të procedurës së ndjekur nga Kuvendi që me shpalljen e vakancave, procesit të verifikimit dhe vlerësimit paraprak të listës së kandidatëve që plotësonin kriteret ligjore sipas vlerësimit të komisionit të pavarur Ad Hoc të ngritur nga Avokati i Popullit, listës së kandidave që nuk plotësonin kushtet ligjore dhe raportin e vlerësimit të kandidatëve, institucioneve prej të cilëve iu është kërkuar informacion, afatet kohore të paraqitjes së dokumentacionit të përcjellë nga Komisioni Ad Hoc, etj.

Gjonçaj sqaroi se në bazë të detyrimeve të ngarkuara nga ligji 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” është kryer procesi i verifikimit për kandidatët e kualifikuar nga komisioni Ad Hoc dhe ka rezultuar se disa kandidatë kishin mangësi në dokumentacionin ligjor për të provuar plotësimin e kritereve.

Kandidatëve iu është komunikuar dhe lënë një afat 5 ditor për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar dhe në vijim të një praktike të konsoliduar në proceset e mëparshme përgjedhëse kandidatëve u është kërkuar dorëzimi i deklaratës së interesave personal.

“Arsyet e skualifikimit të kandidatëve janë paraqitur në raportin e përcjellë pranë Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, janë bërë publike në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet raportit të publikuar, gjithashtë kandidatët e përjashtuar janë njoftuar me shkrim në mënyrë individuale dhe të arsyetuar”, sqaroi z.Gjonçaj, duke iu përgjigjur më tej pyetjeve të deputetëve lidhur me kriteret dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidatëve.

Ai theksoi se pas verifikimeve të kryera për Këshillin e Lartë Gjyqësorë, sipas vlerësimit të Sekretarit të Përgjithshëm janë të kualifikuar 8 kandidatë dhe janë skualifikuar 6 kandiatë.

Ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë kualifikuar 6 kandidatë dhe nuk janë kualifikuar 4 kandidatë.

Pas dëgjesës me Sekretarin e Kuvendit mbledhja e komisionit vijoi me diskutime të anëtarëve të nënkomisionit.

Bushka sqaroi procedurën që duhet të ndiqet për shqyrtimin e listës së kandidatëve të kualifikuar dhe atyre të skualifikuar, dëgjesat me kandidatët, përzgjedhjen e kandidatëve, rastet kur nënkomisioni vendos që një prej kandidatëve të skualifikuar të renditen në listën e atyre të kualifikuar, etj.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, ka ndërhyrë në proces duke skualifikuar në shkelje të kriterëve kandidatët.

“Sekretari i Përgjithshëm e ka ndjekur me vonesë procedurën, pasi afati 10-ditor është kushtetues dhe i detyrueshëm për zbatim”, tha Bardhi.

“Një afat 10-ditor i shtyrë në kohë në 4 muaj ka ardhur për shkak të kryerjes nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të veprimeve që nuk ia ngarkon ligji”, tha Bardhi.

Kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka tha se, “sa i takon autoritetit të Sekretarit të Përgjithshëm për të bërë verifikime në fakt i gjithë diskutimi në vite në këto gara ka qenë që nuk është bërë një verifikim i saktë më përpara, ndaj ka pasur në fakt probleme me kandidatët që janë parë më pas dhe në kushte pazgjedhshmërie dhe në kushte shkarkimi”.

Pas diskutimeve, me dakordësi u vendos që mbledhja e nënkomisionit të vijoj në ditët në vijim, sipas kalendarit të miratuar më herët nga nënkomisioni.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›