Gjoni Paqartesi ne vizionin strategjine dhe taktiken elektorale te Rames

Deputeti socialist Ilir Gjoni,ka sqaruar në rrjetin social “Facebook”, arsyet se pse kritikoi hapur në mbledhjen e Asamblesë së PS, kryetarin Edi Rama. Fillimisht ai thotë se Rama nuk vuri në dijeni anëtarët e asamblesë për përmbatjen e mbledhjes, duke e servirur surprisë atë, e quajti vizion strategjik. Një vizion që siç konstaton z. Gjoni miksonte pa shumë arsye dhe mbetej i paqartë në tre çështjet që trajtonte, vizionin strategjinë dhe taktikën për zgjedhjet e ardhshme.
“Deklarova se një strategji pa ushtri është nul. Se elektorati duhet të jetë në qendër të programit. Socialisti që ka luftuar e sakrifikuar gjatë tërë këtyre viteve të vështira dhe jo Lideri, ashtu siç paraqitej në prezantimin e Kryetarit, ku sipas tij në qendër të fushatës (për shkak të sistemit?!) vihet Lideri, pasi ai “ha gjithë baltën dhe vlerësimet”, shkruante Gjoni.
Siç sqaron deputeti socialist ai kërkoi në asamble që përqasja e opozitës ndaj problemeve të jetë realiste, duke shmangur imponimin nga zgjedhjet e një personi, apo mbylljen në rrethe të ngushta nga një herë dhe jostatutore. Për këtë siç sqaron z. Gjoni kërkoi në asamble, një tërheqje sa më të gjerë mendimi të forumeve dhe sidomos të opinionit të bazës.
“Diskutova për çështjen e aleancave, duke thënë se problemi i aleatëve është dhe çështje e evoluimit të vetë atyre, por vlerësimi i tyre duhet të jetë produkt diskutimi në PS, mbi bazë të vlerave reale dhe jo vendimeve individuale”, sqaronte ai në profilin e tij në “Facebook”.
Deputeti socialist thotë se në diskutimin e tij në asamble i kushtoi vëmendje të posaçme trajtitimit të elektoratit që s’duhen pare siç vlerëson, si turmë që ndjek egon e ambiciet individuale. Elektorati shkon pas ideve të ankoruara në një axhendë të qartë politike e ekonomike, thotë Gjoni. Ai sqaron dhe momentin e replikës me kryetarin e PS, që dukshëm është nxitur nga ky qëndrim kundërshtues me vizionin e propozuar nga Rama për zgjedhjet e ardhshme.
“Pata përshtypjen se Kryetari bëri një lapsus frojdian, pasi siç e shihni, unë në diskutimin tim nuk përmenda kurrkund deputetët, por ai, i ndodhur para stresit të kuptueshëm paraelektoral dhe një ndjeshmërie që ekziston ndër strukturat e partisë në të gjitha nivelet, për të përcaktuar në kohë vendin e gjithkujt në këtë betejë elektorale, u shpreh (sipas gjykimit tim) gabimisht, duke thënë se deputetët janë listë kooperative (pra pa ndonjë vlerë), por janë të tillë (deputetë) pasi Unë (Kryetari) i kam vënë në listë. Reagimi im ishte i menjëhershëm, duke deklaruar se së pari, unë diskutova në Asamble si anëtar i saj dhe jo si deputet; së dyti, nëse kishte ndonjë objeksion me diskutimin tim nuk kishte përse të përfshinte gjithë grupin e deputetëve, pra nuk duhej të viktimizonte dhe deputetët e tjerë; së treti, nëse ka çështje për të diskutuar me deputetët mund t’i ngrejë ato çështje në grupin parlamentar dhe së fundi, krahasimi nuk ishte i gjetur, se sipas kësaj, i binte që ai të ishte kryetari i kooperativës”, thuhej më tej në këtë sqarim të deputetit Gjoni.
Kjo përplasje e forte idesh mes kryetarit Rama dhe deputetit Gjoni, ndodhi gjatë një mbledhje të pazakontë të asamblesë socialiste për nga masat ekstreme që kishte vendosur kryetari, për mos daljen e asnjë infomacioni gjatë zhvillimit të saj. Me urdhër të Ramës u bllokuan valët e celularit, duke dëshmuar se ky është standarti i lirisë që propozon kryetari prej ardhjen në krye të PS.