E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuan me sqepar gruan shtatzënë, flijohet me kapsollë në gojë

Pukë/Një rast tjetër i dhunës në familje ka degjeneruar në tragjedi. Një burrë në Pukë ka goditur me sqepar bashkëshorten shtatzënë, dhe duke kujtuar se ajo ka humbur jetën është vetëvrarë me kapsollë detonatore duke hedhur kokën në erë. Ngjarja tronditëse ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 16:00, në fshatin Rrasë të komunës Gjegjan, të rrethit të Pukës. Policia vendore konfirmoi se ka një të vdekur dhe një të plagosur nga krimi në familje. Viktima është Gjin Lleshi, që grupi hetimor e gjeti me kokën e dëmtuar, teksa rezultoi se ka përdorur një kapsollë duke futur në gojë, kurse e dëmtuar rëndë u dërgua në spital gruaja shtatzënë.
Ngjarja
Paraprakisht mendohet se krimi ka për motiv një grindje banale mes çiftit që degjeneroi në dhunë ekstreme, por pritet përmirësimi i gjendjes shëndetësore të 48 vjeçares P. Lleshi, që të merret në pyetje dhe të sqarohet plotësisht kjo ngjarje. Gruaja ka mundur të thotë pasi është përmendur se kishin pasur sherr mes tyre dhe më tej burri është vetëvrarë. Mjekët këshilluan mjekimin e specializuar të saj në Tiranë. Policia u informua nga të afërm dhe banorë të fshatit Rrasë vetëm gjysmë ore pasi kishte ndodhur. Familjarët dërguan me urgjencë për në spital 48-vjeçaren që kishte dëmtime në kokë nga goditje me mjete të forta. Mjekët konstatuan se ajo ishte edhe shtatzënë. P. Lleshi po mbahet nën trajtim dhe terapi intensive, teksa mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Në fshat u dërgua një grup hetimor, në përbërje të të cilit ekspertë të mjekësisë dhe të prokurorisë. Policia gjeti trupin e pajetë të 50-vjeçarit Gjin Lleshi në ambientet e banesës, me dëmtime të theksuara në kokë.

Hetimet
Verifikimet e kryera dhe pyetja e familjarëve të tjerë zbuluan se pasi ishte grindur me bashkëshorten shtatzënë, Lleshi e ka goditur me sqepar në kokë. Nuk dihet ende nëse shkak është bërë xhelozia apo kundërshtimi prej 48-vjeçares. Por teksa ajo është shembur e përgjakur në dysheme, 50-vjeçari në momente depresioni dhe i trembur ka nxjerrë një kapsollë ku e mbante të fshehur duke e futur në gojë. Brenda pak çastesh është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm dhe Lleshi ka vdekur në vend. Ekspertët deklaruan se i ndjeri kishte dëmtime të rënda të brendshme në kokë, copëtim të nofullës dhe trurit, kurse vdekja ka qenë e menjëhershme. Mendohet se viktima e ka kujtuar të pajetë bashkëshorten dhe i tronditur nga fakti se ajo ishte shtatzënë, është flijuar me mjetin luftarak. Por këto janë vetëm veprimet e para hetimore, pasi priten rezultatet e autopsisë, të gjurmëve dhe provave të gjetura në vendngjarje, si dhe ballafaqimi i dëshmive. Gjithashtu po verifikohen edhe konfliktet e fundit në familje mes çiftit dhe marrëdhëniet që kishin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›