Gjuha Shqipe lëndë në fakultete, studentët kanë mangësi
Për herë të parë gjuha shqipe do të hyjë si lëndë edhe në universitete, përveçse në arsimin parauniversitar. Kërkesa është bërë nga vetë pedagogët, nisur nga niveli i dobët i mjaft studentëve dhe njohuritë e tyre të pakta ndaj gjuhës shqipe.
Fakultetet
Drejtuesit e fakultetit të Histori- Filologjisë ndërsa kanë folur dje në media, e përkrahin këtë nismë, por thonë se gjuha shqipe duhet të jetë e detyruar për të gjitha fakultetet. Vetëm kështu mund të rritet interesi për ta njohur këtë gjuhë në të gjitha format e saj. “Është futur si një lëndë e rëndësishme me kredite të caktuara për të gjitha fakultetet. Tani për tani është me zgjedhje dhe në të ardhmen ne do të synojmë mbase që do të jetë dhe një lëndë detyruese dhe që do të japë një formim të pranueshëm. Kjo do të fillojë tani në tetor, që hyn ky vit akademik krahas lëndëve të tjera, do të jetë dhe gjuha shqipe”, tha Ymer Çiraku, zv.dekan i Histori- Filologjisë.
Kurrikulat
Sipas pedagogëve edhe kurrikulat duhet të pësojnë ndryshime. Por natyrisht që ato duhet të mbështeten mbi tekstet e vjetra. Kështu do të ndodhë këtë vit akademik, për tekstet e gjuhës shqipe me të cilat do të studiojnë të rinjtë. “Tekstet akademike shkencore, asnjëherë nuk krijohen nga e para, ato krijohen mbi përvojat dhe eksperiencat e mëparshme dhe kështu do të ndodh gjithmonë. Mos të mendojmë se në të gjitha fushat dalin menjëherë tekste të rinj, do të ketë tekste të cilat e kanë marr konsideratën për nivelin e tyre shkencor, nivelin metodik, ato do vazhdojnë të funksionojnë. Ka tekste dhe kjo është gjë e mirë të cilët i qëndrojnë kohës”, tha Çiraku.
Ndarja nga letërsia
Gjuha shqipe pritet që të jetë një nga shtyllat kryesore edhe në sistemin arsimor parauniversitar. Madje ajo pretendohet që të shtrihet që në ciklin parashkollor me disa prej elementëve të saj. Ky ka qenë propozimi më i fundit i qeverisë, pasi vitet e fundit është vënë re një dëmtim i gjuhës shqipe, kjo lidhur dhe me faktin se gjuha nuk ka qenë asnjëherë e ndarë nga letërsia.