E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon shitja e HEC-eve, kompanitë i vënë kushte Qeverisë

Asnjë ofertë nuk është paraqitur për të blerë katër hidrocentralet shqiptare. Tenderi ishte parashikuar të zhvillohej dje paradite, por duket se Qeveria dështoi për herë të dytë të shesë katër hidrocentralet ekzistuese të nxjerra në privatizim; dy të Bistricës; të Ulzës dhe Shkopetit.
Komisioni
“Komisioni u mblodh në orën 9.00 dhe për shkak të mosparaqitjes së asnjë oferte për HEC-et, Bistrica I e Bistrica II dhe mosparaqitjen e asnjë oferte për HEC-et Ulëz dhe Shkopet, vendosi ti propozojë ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë deklarimin e mossuksesit të këtij procesi”, tha zëvendësministri i Energjetikës, Sokol Dervishaj.
Kompanitë
Zëvendësministri shtoi se paraprakisht kanë qenë disa kompani të interesuara për blerjen e tyre, por nuk kanë paraqitur ofertë, pasi i kanë vënë disa kushte Qeverisë. “Kërkojnë edhe një përmirësim të procesit në lidhje me raportin që do të kenë privatizuesit e këtyre HEC-eve me KESH dhe mënyrën, procedurën se si do të bëhet prodhimi, shitja dhe transmetimi i energjisë elektrike nga këto HEC-e. Ne do ti propozojmë si METE, Këshillit të Ministrave edhe rregullime të nevojshme në procedurat e rihapjes së këtij tenderi, të cilat do ua bëjmë me dije shumë shpejt’, tha Dervishaj.
Opozita
Në tender ishin të pranishëm edhe tre deputetë të opozitës, Eduard Shalsi, Taulant Balla dhe Erjon Brace. Zoti Braçe tha se dështimi i tenderit duhet ta bindë qeverinë të marrë në konsideratë qëndrimin e opozitës të shprehur që në fillim. “Në rast se këta zotërinjtë do ta vazhdojnë këtë gjë, siç e deklaroi ministri, ne e kemi propizimin tonë gati. T’i nxjerrim menjëherë nga shitja, me qëllim që një pasuri kombëtare mos të shitet me cmime fare të ulëta dhe qesharake dhe mbi të gjitha të mos shitet për të rënduar edhe më situatën e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, që është një nga pasuritë më të mëdha të shqiptarëve”, tha Braçe.
Interesat e qytetarëve
Erjon Braçe tha se ky privatizim është në kundërshtim të hapur me interesat e qytetarëve, pjesë e një strategjie që çon përfitimet tek privatët, por ngarkon humbjet tek shteti. “Ne dyshojmë në një sjellje të koordinuar të të gjithë ofertuesve me qëllim të qartë. Të përfitojmë sa më shumë nga ky proces privatizimi. Pra interesi publik është i fundit që diskutohet në rastin e këtij tenderi. Ajo që është fare e qartë ka të bëjë me strategjinë e qeverisë për të privatizuar fitimet dhe për të shtetëzuar dhe për të mbajtur për pjesën e shtetit të gjitha humbjet”, tha Braçe. Katër HEC-et e nxjerra në privatizim kanë një kapacitet të instaluar prej 77 megavat dhe prodhojnë mesatarisht 406 milionë kilovat orë në vit

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›