Gjuha shqipe, të gjitha fjalët që do të ndryshohen
Gazeta Shqip publikon listën e plotë të ndryshimeve të miratuara në mbledhjen e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës disa ditë më parë.
PËRFUNDIMET
NGA MBLEDHJA E KNGJSH MË 16 PRILL 2013
Në mbledhjen e datës 16. 04. 2013, të zhvilluar në Tiranë, u diskutuan problemet drejtshkrimore, që mbetën pa u diskutuar në mbledhjen e qershorit 2012. Pas diskutimeve, u propozuan dhe u mbështetën me miratim të përgjithshëm, ndryshimet e mëposhtme në rregullat ekzistuese.
A PËR DREJTSHKRIMIN E ZANOREVE
- Të ndryshojë drejtshkrimi i disa fjalëve të formuara me prapashtesën -m duke zhvendosur zanoren -ë- nga pozicioni fundor në brendësi të fjalës. Fjalë të tilla janë: i prapmë të shkruhet i prapëm ~ e prapme; i pasmë të shkruhet i pasëm ~ e pasme; i mishmë të shkruhet i mishëm ~ e mishme; i sontmë të shkruhet i sontëm ~ e sontme; i parvjetmë të shkruhet i parvjetëm ~ e parvjetme. Me këtë ndryshim ruhet forma e prapashtesës -m, që formon pjesore e mbiemra, dhe fjalët integrohen në paradigma të njohura (khs. i sotëm ~ e sotme, i mesëm ~ e mesme, i tashëm ~ e tashme, i avashëm ~ e avashme, i ndryshëm ~ e ndryshme, i sivjetëm ~ e sivjetme).
- Të njësohet drejtshkrimi i fjalëve amëz erë e lehtë që merr një ushqim dhe që ndihet kur e hamë; kundërmim dhe amzë regjistri themeltar i shkollës. Të dyja këto fjalë, që kanë të njëjtin burim dhe të njëjtën strukturë fonoleksikore, të shkruhen amzë.
- Fjalët që përmbajnë prapashtesën deminutive -zë të shkruhen sipas përbërjes së rrënjës: kur rrënja e fjalës mbaron me zanoren -ë, të shkruhen me z: shkëndijëz, vijëz, gojëz, ujëz, nyjëz; kur rrënja mbaron pa zanoren ë, të shkruhen me zë: pejzë, tejzë, fejzë. Sipas këtij rregulli duhet të ndryshojë drejtshkrimi i fjalës dejëz, që mbështetet në shumësin dej, si rrjedhim duhet të shkruhet dejzë, njëlloj si fejzë (nga shumësi fej).
- Të ndryshojë pozicioni i zanores -ë tek emri tavllë, që duhet të shkruhet tavëll ~ tavlla. Gjuha shqipe nuk ka emra me një përbërje të tillë: një grup bashkëtingëllor me një lëngëzore. Me këtë ndryshim emri integrohet në paradigmën e emrit krikëll ~ kriklla i së njëjtës gjini dhe më tej në paradigmën hasëll ~ haslli, hisëll ~ hislli, çakëll ~ çaklli të gjinisë tjetër.
- Mbiemri i sigurt të shkruhet i sigurtë, me theks në zanoren -u- dhe me zanoren -ë në fund të fjalës. Me këtë mënyrë të shkruari fjala përshtatet më mirë me burimin e saj: it. sicúro, duke ndjekur të njëjtën rrugë që ka ndjekur një mbiemër tjetër me këtë burim: i sinqertë nga it. sincéro.
- Mbiemrat prejpjesorë: i shpërbemë dhe i rremë, që janë formuar me formantin -m të pjesores, duhet të shkruhen i shpërbem dhe i rrem, duke respektuar formën e prapashtesës, që është -m e jo -më, pasi me këtë të fundit formohen emra e jo mbiemra (khs. ndihmë, frymë, pështymë).
- Mbiemri i majmë, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duhet të shkruhet i majm ~ e majme, pa zanoren -ë në formën e gjinisë mashkullore. Me këtë paradigmë mbiemri integrohet në paradigmën e mbiemrave i madh ~ e madhe, i kuq ~ e kuqe, i keq ~ e keqe.
- Foljet ngadhënjej e ngashënjej, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, të shkruhen pa zanoren ë: ngadhnjej e ngashnjej.
- Emri travaj mall, shqetësim, merak, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, të shkruhet travajë, me zanoren -ë. Në asnjë të folme nuk shqiptohet si emër i gjinisë mashkullore; si rrjedhim duhet të korrigjohet edhe shumësi travaje, që duhet të jetë travajë, njëlloj si punë, javë etj. Veç drejtshkrimit, në veprat kodifikuese (fjalorët) duhet të korrigjohet edhe kuptimi leksikor i fjalës, që nuk është mall, shqetësim, merak, por mundim, brengë.
- Ndajfolja herët nuk përligjet gramatikisht, prandaj ajo duhet të shkruhet heret, meqenëse këtu kemi një emër të rasës rrjedhore, mbaresa e të cilit është -et e jo -ët. Ka edhe ndonjë fjalë tjetër, siç është ndajfolja tejet nga një tej e lakueshme, që ka hyrë në standardin e sotëm me këtë mbaresë duke u shkruar me mbaresën -et e jo -ët.
- Emri thyez copë e vogël e thyer të shkruhet me zanoren -ë fundore, pra, thyezë, pasi ai nuk ndryshon nga ana strukturore me emrin thyesë.
- Në disa fjalë trirrokëshe me dy rrokje paratheksore, të shkruhet vetëm një zanore -ë, ajo që ndodhet pranë theksit, duke ruajtur zanoren e plotë në rrokjen e ballit të fjalës. Fjalë të tilla janë: shëmbëllej, shëmbëllim e shëmbëllesë, që duhet të shkruhen shembëllej, shembëllim e shembëllesë; rrëzëllej, rrëzëllim, rrëzëllor e rrëzëllyes, që duhet të shkruhen rrezëllej, rrezëllim, rrezëllor e rrezëllyes; nëpërkoj dredhoj, gjarpëroj, që duhet të shkruhet nepërkoj. Me këtë mënyrë ruhet rrënja e fjalës dhe mënjanohet kakofonia që krijon shqiptimi i dy zanoreve të rrëgjuara paratheksore, duke ecur kësisoj në gjurmë të një tradite më të hershme të shqipes (khs. marëtoj nga lat. maritre, mallëkoj nga lat. maledico, ngadhënjej nga it. guadagnare etj.).
- Në fjalët e përbëra me përemrin vetë, të shkruhet në të gjitha rastet zanorja -ë kur është në funksion të prefiksoidit. Prandaj, krahas vetëmbrojtje, vetëshërbim, vetëmohim, të shkruhet edhe vetëvetor, vetëvetiu.
- Mbiemri i gjerë ka dalë jashtë sistemit fonetik dhe shkrimi i tij është mbështetur në një shqiptim nëndialektor të toskërishtes. Për këtë arsye të shkruhet me zanoren -ë në vend të zanores -e bashkë me rrjedhojat: i gjërë, gjërësi, zgjëroj etj.
- Disa emra që vijnë nga dialekti gegë dhe i mungojnë toskërishtes, të shkruhen ashtu si në gegërishte, duke respektuar udhëzimin e Kongresit të Drejtshkrimit që fjalët me burim dialektor të shkruhen ashtu siç i ka dialekti nga i cili janë marrë. Fjalë të tilla janë: plëng, që duhet të shkruhet plang, shtatzënë që duhet të shkruhet shtatzanë, zhgjëndërr, që duhet të shkruhet zgjandërr.
- Fjalët bulmet e qurra, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, mund të shkruhen bylmet e qyrra.
- Emrin lëkua barishte shumëvjeçare, që rritet në liqene e në ujëra të ndenjura; lëpushë nuk e ka asnjë e folme me këtë formë. Është fjalë e dialektit gegë; prandaj duhet të shkruhet lëkue. Togu zanor -ue- me të cilin del fjala, është i pranishëm në standardin e sotëm; khs. mësues, i punueshëm etj.
- Disa huazime librore, ku ndeshen dy e deri në tri zanore bashkë, të shkruhen me një zanore. Kështu, folja kontribuoj me pjesoren kontribuuar të shkruhet kontriboj e kontribuar; emrat asociim, iniciim, negociim të shkruhen asocim, inicim, negocim<