E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inaugurimi i punimeve te xhamise se re

Është inauguruar nisja e punimeve për xhaminë e re të Tiranës. Selim Muça, kryetari i Komunitetit Mysliman, theksoi se kjo është një ditë historike jo vetëm për besimtarët myslimanë shqiptarë, por për të gjithë popullin.

I pranishëm në inaugurim ishte edhe kryeministri Sali Berisha. Në fjalën e tij ai theksoi: “Për Tiranën, kjo ditë, dita e lindjes së Profetit, është dhe do të mbetet një ditë e madhe. Kjo është xhamia më e madhe në vendin tonë. Sot ndahemi nga qëndrime paragjykuese, të inspiruara kryekëput nga ateizmi dhe ideologjitë e tij që penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie të domosdoshme për myslimanët e Tiranës.” Përveç të qenit një vend për adhurimin e Zotit, xhamia e re e kryeqytetit shqiptar do të jetë një kompleks shumë funksional, për të gjithë shqiptarët. Xhamia e re do të jetë e një stili ballkanas dhe do të përfshijë në të edhe elementë arkitekturorë shqiptarë. Ajo do të jetë e lartë rreth 35 metra, ndërkohë që do të ketë 4 minarè, 55 m të larta. Kostoja e saj shumë e lartë nuk i ka trembur drejtuesit e KMSH, të cilët shprehen të kënaqur për gadishmërinë e shqiptarëve, pa dallim feje, për të qenë pjesë e këtij projekti. Kompleksi i ri në qendër të Tiranës është projektuar nga arkitekti turk, Muharrem Hilmi Senalp, i njohur për veprat e tij në Turqi, Gjermani, Bosnjë, Japoni apo dhe në Australi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›