Gjuhëtarët: Të pasurohet standardi

I themeluar më 2004-n nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ky këshill është organ me autoritet shkencor për shqyrtimin e të gjitha çështjeve që lidhen me përdorimin dhe zhvillimin e shqipes standarde. Pas disa tryeza debatesh ku u kërkua që ky këshill të ishte aktiv, në mbledhjen e mbajtur më 6-8 mars, gjuhëtarët kanë diskutuar mbi probleme të leksikut të gjuhës shqipe.
Gjuhëtarët kanë qenë në një mendje kur kanë propozuar disa masa e detyra për pasurimin e leksikut të shqipes standarde nga të gjitha burimet (ligjërimet e folura popullore, krijimet e reja me mjetet e sipas modeleve fjalëformuese të shqipes dhe nëpërmjet huazimeve të domosdoshme, kryesisht të ndërkombëtarizmave), ruajtja e pastrimi i mëtejshëm nga fjalët e huaja të panevojshme, njësimi e standardizimi i terminologjisë, veçanërisht në fusha më të përgjithshme, brenda sistemit terminologjik dhe në përdorim të përbashkët etj. Këshilli thekson se në fushën e leksikut e të terminologjisë shqipe ka shumë çështje që presin studime e zgjidhje nga organizmat shkencorë që merren me studime e botime gjuhësore, me forma të reja bashkëpunimi dhe me mënyra të reja organizimi.
Disa propozime konkrete nga mbledhja e fundit e këshillit në këto drejtime do t’u përcillen dy akademive dhe më tej instituteve shkencore, fakulteteve e qendrave, me të cilat bashkëpunohet e të tjera që merren me studimin e gjuhës shqipe. Këshilli përbëhet nga 23 profesorë, akademikë e studiues të njohur të gjuhës shqipe nga Shqipëria, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, gjuhëtarë shqiptarë nga Maqedonia dhe nga arbëreshët