E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjurmë drite, formë jete”, ekspozita që sjell ndërthurjen e pikturës me skulpturën

Në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” është çelur ekspozita “Gjurmë drite, formë jete”, një bashkëpunim artistik mes piktorit Vladimir Topi dhe skulptorit Gentian Zeka.

Ekspozita sjell për publikun një ndërthurje të veçantë mes pikturës, grafikës dhe skulpturës, ku drita, forma dhe emocionet komunikojnë në një dialog bashkëkohor artistik. Përmes veprave të tyre, dy artistët përcjellin këndvështrime të ndryshme mbi jetën e përditshme, duke krijuar një atmosferë plot ndjeshmëri dhe reflektim.

Sipas organizatorëve, veçantia e kësaj ekspozite qëndron te plotësimi reciprok i gjuhës artistike të autorëve.

Nëse grafika e Vladimir Topit përfaqëson “trupëzimin” e formës, veprat e Gentian Zekës shihen si “hartëzim” i energjisë dhe lëvizjes së saj. Kjo marrëdhënie krijon një rrjedhë artistike që bashkon skulpturën me gjurmën grafike në një harmoni të veçantë vizuale.

Ekspozita “Gjurmë drite, formë jete” do të qëndrojë e hapur për artdashësit deri më 27 maj në Galerinë “Guri Madhi”, duke e kthyer këtë hapësirë në një pikëtakim të rëndësishëm të artit bashkëkohor në Korçë.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›