Protesta në Vlorë për sistemimin e tregut, shoqërohen në polici tre tregtarë

Situata rreth sistemimit të tregut të madh të Vlorës, nga dyert e institucioneve vendore është zhvendosur në ambientet e komisariatit të policisë.
Sipas gazetares së RTSH-24 në Vlorë, tre tregtarë, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre prej vitesh në këtë qytet, janë shoqëruar nga forcat e rendit pas një proteste të zhvilluar përpara Bashkisë së Vlorës.
Autoritetet kanë ndërhyrë pasi disa nga pjesëmarrësit kanë tentuar të futen me forcë brenda institucionit shtetëror. Nga ana tjetër, tregtarët e shoqëruar e shohin këtë masë si një tentativë për të mbytur zërin e tyre të revoltës.
Rushit Velaj dhe Amarildo Dule, dy nga tregtarët e shoqëruar, kanë sqaruar se në momentet e para nuk u është dhënë asnjë shpjegim për ndalimin.
“Nuk jemi informuar fillimisht për arsyen e thirrjes në polici. Vetëm më pas na u komunikua se na konsideronin si organizatorë të protestës dhe se dyshohej se kishim shtyrë efektivët e policisë,” u shprehën ata pas lirimit. Ata hodhën poshtë akuzat për dhunë ndaj uniformave blu.
Të dy tregtarët mbrojnë kauzën e tyre, duke këmbëngulur se dalja para bashkisë ishte një reagim i natyrshëm ndaj pasigurisë ekonomike me të cilën po përballen prej muajsh.
“Kemi një jetë që punojmë në atë treg. Kërkesa jonë e vetme është një zgjidhje përfundimtare për sistemimin e tregut brenda qytetit, që të mund të vazhdojmë të mbajmë familjet tona,” deklaruan ata, duke vënë në dukje se ky ngërç prek qindra vlonjatë.
Sipas organizatorëve, në këtë tubim morën pjesë më shumë se 200 tregtarë të tregut të madh, të cilët ndodhen në të njëjtat kushte mbijetese. Ata kërkojnë që bashkia të ulet në bisedime dhe të mos përdorë forcën, por t’u sigurojë një hapësirë publike ku të mund të vijojnë aktivitetin e tyre tregtar pa pasur frikën e largimit të përditshëm.