Gjykata Administrative e Apelit pezullon zbatimin e vendimeve për bojkotin e seancave në GJKKO

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Gjykata Administrative e Apelit vendosi sot pezullimin e zbatimit të dy vendimeve të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë për bojkotimin e seancave gjyqësore pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në dhomë këshillimi, gjykata pranoi kërkesën për marrjen e masës së sigurimit të padisë në çështjen me palë paditëse Shoqatën e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare (SHAASH), palë të paditur Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë dhe palë të tretë GJKKO-në.
Masa pezullon zbatimin e vendimit të datës 8 shtator 2026, për bojkotimin nga avokatët të seancave gjyqësore pranë GJKKO-së, si dhe të vendimit të datës 23 shtator 2026, për vazhdimin dhe përshkallëzimin e bojkotit.
Në kuadër të këtij gjykimi, GJKKO-ja paraqiti parashtrimet e saj me shkrim, duke shprehur qëndrimin institucional se aktet e kundërshtuara janë nxjerrë në tejkalim të kompetencave ligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.
Pezullimi i efekteve të dy vendimeve të bojkotit është vendosur si masë sigurimi e padisë.
/m.m/a.f/r.e/