GJKKO rrëzon kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive të Nikolla Hafësllarit

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi sot kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive të shtetasit Nikolla Hafësllari, duke e vlerësuar atë si të pabazuar në ligj dhe në prova.
Me vendimin e sotëm, gjyqtari Erjon Bani vendosi edhe revokimin e sekuestros dhe kthimin e dy garazheve dhe të një automjeti të markës “Audi”, modeli A6, prodhim i vitit 2005.
Kërkesa për konfiskimin e pasurive ishte paraqitur nga Prokuroria e Posaçme më 11 qershor 2026, në mbështetje të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë.
Sekuestroja ishte vendosur në kuadër të procedimit pasuror të vitit 2025, me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit më 2 dhjetor 2025, i cili kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të datës 24 tetor 2025.
Për ekzekutimin e vendimit është ngarkuar Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve.
/m.m/a.f/r.e/