E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese e Francës rrëzon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Këshilli Kushtetues i Francës ka rrëzuar dispozitën kryesore të ligjit që synonte ndalimin e aksesit në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Masat e propozuara nga pushteti ekzekutiv u cilësuan nga gjykata më e lartë si një kufizim i jashtëzakonshëm mbi të drejtat e të miturve.

Vendimi i Këshillit Kushtetues

Trupa gjykuese e Këshillit Kushtetues u vu në lëvizje në fund të muajit korrik pas një ankesë zyrtare të dorëzuar nga deputetët e opozitës të partisë Socialiste dhe lëvizjes La France Insoumise. Kundërshtimi përqendrohej te Neni 1 i ligjit për mbrojtjen e të miturve nga varësia digjitale.

Në arsyetimin e saj, gjykata konstatoi se kjo ndalesë e gjerë shkel parimet bazë të së drejtës së informimit dhe komunikimit.

“Dispozita e propozuar është e papërshtatshme, e panevojshme dhe shkel në mënyrë disproporcionale lirinë e shprehjes dhe të komunikimit të të miturve.”, thuhet në vendimin e Këshilli Kushtetues i Francës

Gjyqtarët u shprehën se, megjithëse ekziston një “kërkesë kushtetuese për mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës”, aplikimi i një ndalimi të përgjithshëm do të përfshinte shërbime të komunikimit online, rreziqet e të cilave ndaj shëndetit apo sigurisë së të miturve nuk janë provuar apo përcaktuar saktësisht.

Macron udhëzon rishkrimin e ligjit

Vendimi i Këshillit Kushtetues shënon një pengesë ligjore për projektin e mbështetur drejtpërdrejt nga Presidenti Emmanuel Macron.

Sipas një njoftimi zyrtar nga Pallati Elize, menjëherë pas publikimit të vendimit, Presidenti Macron ka udhëzuar Kryeministrin Sébastien Lecornu të nisë punën për rishikimin e kuadrit ligjor. Presidenca konfirmoi se synohet formulimi i një zgjidhjeje të re për mbrojtjen e të miturve në ambientin digjital, e cila parashikohet të jetë gati “deri në pranverën e vitit 2027”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›