Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin për rritjen e pagesës
Të verbrit
Kandidati për president, Zaganjori, kundër kërkesave të personave që nuk shikojnë
Lorina Mixha
Pagesa e personave që nuk shikojnë do të rritet duke marrë për bazë indeksimin e inflacionit dhe jo indeksimin e pagës minimale. Vendimi është i prerë dhe është marrë pak kohë më parë nga Gjykata Kushtetuese. Shtatë anëtarë të kësaj gjykate kanë qenë kundër aprovimit të shfuqizimit të ligjit në fuqi, ashtu siç kërkuan të verbrit, ndërkohë që vetëm dy prej tyre kanë përkrahur kërkesat e kësaj kategorie. Kundër miratimit të kërkesave të personave që nuk shohin ishte edhe kandidati për president, Xhezair Zaganjori. Kështu, Shoqata e të Verbërve pas vendimit të kushtetueses po bëhet gati për ta shqyrtuar çështjen e tyre në Strasburg, në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut.
Çdo vit nga indeksimi i pagës rriten pagat dhe pensionet në një përqindje të caktuar. Nëse indeksimi i pagesës së të verbërve do të bëhej në bazë të pagës minimale, atëherë rritja do të ishte diçka më shumë, por sipas kushtetueses indeksimi do të bëhet në bazë të inflacionit dhe thuajse i papërfillshëm.
Formula e llogaritjes së pagesës për shkak të verbërisë ndryshoi me VKM-në nr.602, datë 23.07.2010 Për përfitimet nga statusi i të verbrit, e cila parashikonte se masa e përfitimit për shkak të verbërisë është 9800 lekë në muaj dhe kjo masë indeksohet me indeksin e çmimeve të konsumit.
Ndërkaq, mendimi i pakicës është argumentuar në këtë mënyrë: Në vlerësimin e pakicës, ndryshimet konkrete, të cilat e shkëpusin përllogaritjen e pagesës mujore nga kriteri i pagës minimale dhe e lidhin me parametrin e luhatshëm të inflacionit, nuk garantojnë stabilitet dhe qartësi të mjaftueshme për të shmangur arbitraritetin.
Gjykata ka vlerësuar se siguria juridike, mbrojtja e të drejtave të fituara, si dhe e pritshmërive të ligjshme, si standarde kushtetuese të trajtuara vazhdimisht nga jurisprudenca kushtetuese, përbëjnë elemente të parimit të shtetit të së drejtës, të sanksionuara në nenin 4 të Kushtetutës. Besueshmëria ka të bëjë me bindjen e individit se nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht ose të jetojë me frikë për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve juridike, të cilat mund të cenojnë jetën e tij private ose profesionale dhe të përkeqësojnë një gjendje të vendosur me akte të mëparshme. Rregullimet ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e shtetasve duhet të kenë qëndrueshmëri të mjaftueshme që siguron vijimësinë e tyre. Si rregull, nuk mund të mohohen interesa dhe pritshmëri të ligjshme të qytetarëve nga ndryshimet në legjislacion dhe shteti duhet të synojë të ndryshojë një situatë të rregulluar më parë vetëm nëse ndryshimi sjell pasoja pozitive, konkretisht trajtim më të mirë financiar për subjektet përfituese.
Gjykata konstaton se, Këshilli i Ministrave, në përmbushje të detyrimeve Për statusin e të verbrit ka përcaktuar me vendim mekanizmin për përcaktimin e pagesës shtesë për shkak të verbërisë. Kjo pagesë llogaritej fillimisht në masën 70% të pagesës minimale shtetërore. Në vitin 2008, pagesa shtesë për shkak të verbërisë u rrit në 8700 lekë në muaj, shumë e cila do të indeksohej, çdo vit me ritmet e rritjes së pagës minimale në shkallë vendi, por masa e indeksuar nuk do të ishte më shumë se masa e pensionit minimal në qytet në shkallë vendi. Në vitin 2009, pagesa shtesë për shkak të verbërisë u rrit në 9 800 lekë në muaj dhe indeksohej me të njëjtën mënyrë si në vitin paraardhës. Në vitin 2010, pagesa shtesë për shkak të verbërisë mbeti e pandryshuar (9 800 lekë), por indeksohej me indeksin e çmimeve të konsumit.
Statistikat zyrtare
Tregojnë se indeksi i çmimeve të konsumit, i cili përbën treguesin kryesor të nivelit të inflacionit, është mjaft i paqëndrueshëm dhe i luhatshëm, duke pësuar ulje-ngritje të vazhdueshme. Paga minimale dhe ndryshimet që ajo pëson, ndikohen nga një mori faktorësh duke përshirë, midis të tjerash, jo vetëm inflacionin në nivel kombëtar, por edhe rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB ose GDP)
Çmimet
E konsumit mund të ndryshojnë për motive nga më të ndryshmet si politika të gabuara apo kriza të naftës dhe gazit, faktorë të cilët nuk mund të ndikojnë fare në ndryshimin e pagës minimale
Pakica
Llogaritja e pagesës
sipas formulës në fuqi
Pakica evidenton se me formulën e re në fuqi, sipas udhëzimit nr. 114, datë 4.8.2011 të Ministrit të Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, duke filluar nga data 1 shtator 2011, masa e përfitimit për shkak të verbërisë është llogaritur në 9 300 lekë/muaj. Nëse kjo pagesë do të llogaritej me formulën e vjetër mbi bazën e pagës minimale shtetërore, do të ishte 70% e 19 000 (paga minimale aktuale sipas VKM nr. 566, dt. 14.07.2010) = 13 300 lekë/muaj. Siç duket qartë, pagesa mujore për shkak të verbërisë ka pësuar një përkeqësim në vlerë monetare me ndryshimet ligjore, të cilat janë objekt shqyrtimi.
Nisur nga argumentet e mësipërme, pakica çmon se pretendimi i kërkuesit në drejtim të cenimit të parimit të sigurisë juridike është i bazuar dhe duhej të pranohej nga gjykata.
Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin për rritjen e pagesës burimi: Gazeta Shqip