E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata anulon fitoren zgjedhore të opozitës

Gazeta Shqip

Maqedoni

Një prej gjykatësve jep dorëheqjen në shenjë proteste ndaj vendimit pro qeverisë

Sinisa Jakov Marusic, BIRN

Macedonia Ballot Box by MIAGjykata Administrative e Maqedonisë anuloi fitoren elektorale të kandidatit të opozitës në Shkup si dhe të kandidatit të përbashkët shqiptar në Strugë, një vend i debatueshëm ky që u prit me protesta.

Kreu i gjykatës, Isamedin Limani, njoftoi menjëherë dorëheqjen për arsye morale, sapo kolegët e tij urdhëruan zgjedhje të reja për qeverisjen vendore në komunat Qendër Shkup dhe Strugë, duke pranuar pothuajse të gjitha ankesat e dorëzuara nga partia në pushtet VMRO DPMNE. Gjykata urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve të dielën e ardhshme. Vendimi anuloi fitoren e kandidatit të opozitës Andrej Zernovski në Qendër-Shkup, si dhe atë të Zijadin Selës në Strugë.

Kjo është një lëvizje e turpshme, tipar i të gjithë regjimeve totalitare, tha Zernovski të hënën, duke akuzuar qeverinë për ndikim të gjykatës. Sela e cilësoi vendimin e gjykatës të turpshëm.

Komuna Qendër është drejtuar gjatë katër viteve të fundit nga Vladimir Todorovic dhe ka qenë një bastion i partisë në pushtet VMRO DPMNE. Ajo ka rol të rëndësishëm në shpërndarjen e parave për projektin e shumëdebatuar Shkup 2014, i cili njihet për ndërtesat monumentale dhe statujat e pafundme.

Ndërsa Todorovic mbështet planet e qeverisë dhe ka marrë dhjetëra milionë euro nga qeveria për të ngritur statuja, Zernovski e kundërshton atë dhe akuzon kundërshtarët për pastrim parash. Ai ka premtuar hetim.

Todorovic, i cili humbi si në raundin e parë ashtu edhe në të dytin përballë Zernovski, e përshëndeti vendimin si të drejtë. Pas raundit të parë më 24 mars, Zernovski shpalli fitoren duke deklaruar se pati fituar më shumë se gjysmën e votave. Por me një vendim tjetër të debatuar, Komisioni Zgjedhor urdhëroi një raund të dytë. Vendimi erdhi tri ditë pasi votimi u përfundua, duke hedhur dyshime shtesë mbi procesin e numërimit.

Në raundin e dytë më 7 prill, Zernovski fitoi sërish, ndërkohë që akuzat qenë të shumta për qeverinë për manipulim të rezultatit. Akuza të tilla u hodhën si nga opozita ashtu edhe nga monitoruesit nga shoqëria civile.

Në Strugë, kandidati i përbashkët maqedonas i mbështetur si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita, humbi përballë kandidatit shqiptar Zijadin Sela.

Gjykata anulon fitoren zgjedhore të opozitës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›