E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata cakton av.mbrojtes për vrasësin e policëve

Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka caktuar avokatin mbrojtës që do të përfaqësojë Afrim Hasanin, i akuzuar për vrasjen e dy policëve në Kukës Ai u arrestua nga forcat speciale të Policisë së Shtetit pak orë pas ngjarjes së rëndë. 

TIRANE- Caktohet nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda avokati mbrojtës i Afrim Hasanit, i cili akuzohet për vrasjen e dy punonjësve të policisë në Kukës. Avokati mbrojtës i Hasanit do të jetë Pelivan Luci. Ky vendim është marrë nga ana e kësaj gjykate pasi i pandehuri Hasani refuzoi të përfaqësohej nga avokati i përzgjedhur nga familja e tij. Ndërkohë Gjykata e Krimeve të Rënda i ka dhënë kohë avokatit të ri të njihet me cështjen dhe akuzat që rëndojnë mbi Hasanin.
Hasani është në proces gjykimi si autor i dyshuar i vrasjes me armë zjarri të punonjësve të policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, në muajin mars të këtij viti në fshatin Shën Mëri të Kukësit. Ai u arrestua nga forcat speciale të policisë pak orë pas ngjarjes së rëndë.
Shkak për ngjarjen mendohet të jetë bërë hakmarrja e Afrim Hasanit ndaj dy punonjësve të policisë, për padinë penale që kishin ngritur ndaj tij për "dëmtim të pronës së një qytetari" dhe "kundërshtim të forcave të rendit".
(a.r/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›