E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata dëmshpërblen shqiptarin e dënuar gabimisht

Share

Një shqiptar që jeton në Britaninë e Madhe mori si kompensim 18 mijë sterlina pasi u dënua gabimisht për vrasje nga një gjykatë italiane.

BBC raporton se Edmond Arapi, 31 vjeç, u përball me një dënim prej 16 vitesh burg për vrasjen e një personi në Genoa, pavarësisht se nuk ishte në Itali në atë kohë.

Në qershor të vitit 2010, qeveria italiane u tërhoq nga përpjekjet për ta ekstraduar atë. Një gjykatë apeli vendosi të dëmshpërblejë Arapin, duke pranuar gabimin. Historia e Edmond Arapit tërhoqi një vëmendje të madhe mediatike.

Ai u arrestua në qershor të vitit 2009 në aeroportin Gatwick në Londër, ndërsa kthehej nga pushimet në Shqipëri së bashku me të shoqen, Georgina.

Ishte hera e parë që ai mësonte për gjyqin dhe dënimin në Itali. Arapi kaloi disa javë në burg dhe më pas bëri një betejë gati njëvjeçare kundër ekstradimit.

Jago Rusell, shef i Fair Trials International, që bëri fushatë për Arapin, tha se vendimi i gjykatës së apelit në Genoa është një paralajmërim për të gjithë gjykatësit e prokurorët në mbarë Europën.

Nuk ka asnjë shumë parash që mund të kompensojë realisht Edmondin, gruan e tij dhe tre fëmijët për tmerrin e një viti dhe për impaktin emocional dhe financiar, shtoi ai.

Një hetim i BBC zbuloi se Arapi po punonte në Angli në kohën kur kishte ndodhur krimi në Genoa në vitin 2004. Dëshmitarët thanë se ai punonte në Cafe Davide, ditën e sulmit më 26 tetor.

Vetë Arapi thotë se statusi i emigrantit nuk ia lejonte të udhëtonte jashtë vendit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›