Gjykata e Apelit jep nesër vendimin për 21 Janarin
Gjykata e Apelit do të japë nesër në orën 15:00 vendimin për 21 Janarin.
Seanca e sotme nisi me caktimin e kryesuesit të trupit gjykues, z Agim Bendo dhe relatorit të çështjes Ervin Metalla.
Në seancë, Prokuroria ka kërkuar të rrëzohet vendimi i gjykatës së Tiranës, për pafajësi të të akuzarve për vrasjet e 21 janarit. Prokurori i çështjes Shkëlqim Hajdari ka deklaruar se vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë për 21 Janarit nuk ishte i drejtë. Sipas tij, demonstruesit nuk ishin të armatosur dhe Garda ka qëlluar drejt tyre.
“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur shumë gëzhoja të cilat vërtetojnë se është qëlluar me plumba të vërtetë. Është qëlluar nga kryeministria drejt turmës dhe asnjëherë anasjelltas, nuk është qëlluar vetëm në ajër. Akuza ndaj Prendit dhe Llupos janë personale dhe jo ndaj Gardës. Prova janë edhe ekspertizat e trupave të personave që humbën jetën dhe të plagosurit. Është qëlluar në organet jetësore, pasi viktimat plagët i kanë në kokë dhe gjoks është shprehur Hajdari.
Organi i akuzës i ka cilësuar fajtor dy të akuzuarit duke kërkuar 23 vjet për ish-komandantin e gardës Ndrea Prendi dhe 25 vjet për ish-gardistin Agim Llupo
Në seancën e sotme mungonin dy të akuzuarit për ngjarjen e 21 Janarit, ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi dhe ish-gardisti Agim Llupo të cilët përfaqësoheshin në seancë nga avokatët mbrojtës.
Pas vendimit të gjykatës së Tiranës, e cila shpalli të pafajshëm Ndrea Prendi, për vrasjen e Faik Myrtajt, dhe Agim Llupo, për vrasjen e demonstruesve Ziver Veizi dhe Hekuran Deda, prokuroria apeloi vendimin duke i qëndruar të njëjtës akuzë vrasje me dashje. Ndërkaq vrasja e Aleks Nikës vijon të mbetet pa autor.