Gjykata e Lartë mbyll dyert/ Njofton pezullimin e proceseve: Janë djegur dosjet!

Sulmi me zjarr i protestuesve të dhunshme tre ditë më parë, ka nxjerrë jashtë funksionit Gjykatën e Lartë. Një pjesë e dosjeve stok në këtë Gjykatë janë djegur, ndërsa kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndikuar në zhvillimin e seancave gjyqësore të cilat janë shtyrë për një datë të pacaktuar, përveç atyre më urgjente.
Për këtë arsye, Gjykata e Lartë ka marrë masat duke nisur vlerësimin e plotë të dëmeve dhe do të pritet raporti përfundimtar për t’iu rikthyer normalitetit në institucionin më të lartë të drejtësisë shqiptare.
Sulmi ndaj Gjykatës së lartë e zhvendosi situatën përtej një përplasjeje të zakonshme në rrugë dhe pasojat kanë dalë përtej dëmtimit të godinës, duke prekur drejtpërdrejt funksionimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë në vend.
Në pritje të një kalendari të ri mbeten palët që presin shqyrtimin e çështjeve të tyre dhe marrjen e vendimeve gjyqësore. Për këta qytetarë, shtyrja nënkupton zgjatje të pritjes, ndërsa për institucionin sfida është rikthimi në normalitet dhe garantimi i vijimit të proceseve pa cenuar sigurinë e dokumentacionit gjyqësor.
Për datat e reja të zhvillimit të seancave gjyqësore, palët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë do të informohen në vijim përmes faqes zyrtare të Gjykatës së Lartë.
Pavarësisht dëmeve të shkaktuara në institucionet shtetërore, në rrugët e kryeqytetit dhe në Gjykatën e Lartë, ku zjarri dogji edhe dosje gjyqësore, Gjykata e Tiranës vijon të lirojë nga qelia grupin e zjarrit që lënë pas pasoja dhe për qytetarët e tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me këto akte, por që përballen me dëme në pronën publike e ndërprerje të veprimtarisë së institucioneve.