E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën, Berisha dhe Malltezi mbeten në izolim shtëpie

Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi mbeten sërish në “arrest shtëpie”.

Gjykata e Posaçme rrëzoi sot kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit, të cilët ndodhen në arrest shtëpie.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 03.05.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 96 akti, datë 25.04.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 200 akti, datë 08.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (disponuar mbi kërkesën me objekt zëvendësimin e masës së sigurimit personal)”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 200 akti, datë 08.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar“, thuhet në komunikimin për mediat.

Kujtojmë se  ish-kryeministri Sali Berisha u la zyrtarisht në arrest shtëpie nga GJKKO më 30 dhjetor të vitit të kaluar.

Që prej asaj dite Berisha qëndron brenda 4 mureve të banesës së tij, i akuzuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit Partizani në territorin e të cilit dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndërtoi kulla.

Më 22 tetor 2023 dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi u arrestua me urdhër të SPAK. Malltezi u vu në pranga në Aeroportin “Nënë Tereza” teksa priste bashkëshorten. Urdhër arresti u lëshua për llogari të hetimit të Strukturës së Posaçme mbi privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Por disa muaj më pas masa u zbut dhe u vendos që Malltezi të qendrojë në arrest shtëpie./vizionplus.tv/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›