E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Prishtinës nxjerr urdhër-arrest për liderin e lëvizjes “Vetëvendosje”

Gjykata e Qarkut e Prishtinës i ka dërguar Policisë së Kosovës urdhrin për arrestimin e udhëheqësit të Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti, në qoftë se ai nuk do të paraqitet në seancën e radhës, e paraparë për ditën e nesërme, kanë konfirmuar për Kosovapress zyrtarë të policisë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se fletë-arrestin policia e ka pranuar të mërkurën dhe se ajo do ta zbatojë urdhrin në rast se Albin Kurti nuk do të paraqitet në procesin gjyqësor, i cili pritet të mbahet nesër në ora 10.00, në Gjykatën e Qarkut. “Policia e Kosovës sot ka pranuar urdhër-arrestin nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në të cilën kërkohet që të sigurohet prezenca e Albin Kurtit në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet nesër. Në rast të mos paraqitjes së Kurtit në seancë, Policia e Kosovës është e thirrur të zbatojë urdhëresat e gjykatës”, ka thënë Kelani.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›