Gjykata trondit UEFA-n dhe FIFA-n, dënimet ndaj klubeve të Superligës të paligjshme

Gjykata Europiane e Drejtësisë i jep të drejtë Superligës europiane në gjyqin kundrejt UEFA-s dhe FIFA-s duke shkaktuar një tërmet të vërtet në futbollin kontinental.
Gjykata i dha të drejtë klubeve iniciatorë që kërkuan të zhvillonin këtë aktivitet paralel me kompeticionet tradicionale të klubeve që organizohen nga UEFA.
Sipas kësaj gjykate, vendimet e marra nga UEFA dhe FIFA për të dënuar këto klube që iniciuan formimin e Superligës, janë të paligjshme, megjithatë në vendim nuk ka një arsyetim mbi vendimin e UEFA-s për ti dënuar klubet në fjalë me përjashtim nga kompeticionet europiane.
“Rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s që e bëjnë çdo projekt për një kompeticion të ri futbolli klubesh, siç është Superliga, ti nënshtrohet autorizimit të tyre paraprak dhe që i ndalojnë klubet dhe lojtarët që marrin pjesë në të, nën dënimin e sanksioneve, janë të paligjshëm. Kjo pasi kompetencat e FIFA-s dhe UEFA-s nuk i nënshtrohen asnjë kriteri që garanton natyrën e tyre transparente, objektive, jodiskriminuese dhe proporcionale. Po kështu, rregullat që i japin FIFA-s dhe UEFA-s kontroll ekskluziv mbi shfrytëzimin komercial të të drejtave që rrjedhin nga këto gara mund të kufizojnë konkurrencën, duke marrë parasysh rëndësinë që kjo e fundit ka për median, konsumatorët dhe publikun”, thuhej në vendim.
Në 21 prill 2021, klubet ndër më të mëdhatë e Europës si Real Madrid, Barcelona, Milan, Juventus, PSG, Inter, Liverpool, Celsi apo dy ekipet e Manchesterit formuan atë që u quajt Superliga Europiane që synonte zhvillimin e një kampionati paralel me Champions League, me fokus kryesor maksimalizimin e të ardhurave financiare.
Mirëpo presioni i fortë i UEFA-s i detyroi klubet të tërhiqeshin një e nga një nga kjo iniciativë. Të vetmet që mbetën ishin Real Madrid dhe Barcelona.
Të mbështetura nga agjencia e marketingut A22, dy klubet e mëdha iu drejtuan drejtësisë spanjolle në këtë betejë ndaj UEFA-s. Por drejtësia spanjolle e delegoi çështjen në Gjykatën Europiane te Drejtësisë, institucion tanimë i ka dhënë të drejtë Realit dhe Barcelonës. /vizionplus.tv