Gjykimi i ish-krerëve të UÇK në Hagë, Haxhiu: E papranueshme që “Specialja” pranon si provë dokumente nga Serbia

Të papranueshme e ka quajtur ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, faktin që Dhomat e Specializuara në Hagë për çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë përdorur si provë materiale, dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, ku përfshihen Departamenti i Sigurisë Shtetërore, Ministria e Punëve të Brendshme dhe e ashtuquajtura “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.
“Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës. Pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri,” theksoi ministrja Haxhiu.
Përmes një postimi në Facebook, znj. Haxhiu kritikoi arsyetimin e gjykatës se fakti që disa prova të propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën në vetvete një ndalesë për pranimin e tyre, është juridikisht i gabuar dhe i padrejtë.
“Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktikat e drejtësisë penale ndërkombëtare, sipas të cilave një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e pranueshmërisë së provave është nëse burimi i tyre ka interes në rezultatin e procesit apo ka tregues të tjerë të anshmërisë. Refuzimi i Gjykatës për ta marrë parasysh këtë kriter, ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit,” shkroi znj. Haxhiu.
Ministrja në detyrë shton më tej se ky veprim e shndërron Gjykatën Speciale në mjet për të manipuluar të vërtetën, fajësuar viktimën dhe amnistuar kriminelët.
“Slobodan Millosheviç dhe bashkëpunëtorët e tij janë gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte. Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga regjimi i tyre nga një gjykatë që vepron në emër të Republikës së Kosovës e zhvesh këtë gjykatë nga legjitimiteti kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të logjikës së vjetër të mohimit të së vërtetës, barazimit të palëve dhe relativizimit të krimeve. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por politikisht e papranueshme,” shkroi ministrja e Drejtësisë.
Më 15 shtator në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të nisë paraqitja e provave nga ana e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi dhe krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/