Gjyqësori nuk e përfill rekomandimin e BQK-së

Institucionet e vendit janë treguar shumë të kujdesshme ndaj kërkesave të vazhdueshme të bankave për përmirësimin e ambientit të tyre biznesor, por bankat nuk kanë njëjtë ndaj qytetarëve. Ato vazhdojnë t’i mbajnë normat e kredive ndër më të lartat në rajon.
Një iniciativë ishte nisur nga Banka Qendrore për formimin e njësive nëpër gjykata që do të merreshin ekskluzivisht me zgjidhjen e kontesteve që bankat kanë me kredimarrësit dhe anasjelltas, mirëpo një projekt i tillë ka shumë dyshime që mund të realizohet brenda këtij viti.
Kohavisioni ka kërkuar nga Banka Qendrore përgjigje se deri ku ka arritur ky plan, mirëpo zyrtarë të saj nuk janë përgjigjur. Shpresat që një gjë e tillë mund të ndodhë brenda këtij viti i ka shuar kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci. Ai i ka thënë KTV-së nëpërmjet telefonit se kjo çështje nuk është edhe aq e thjeshtë, siç është menduar në fillim.
Ekspertë të ekonomisë kanë mirëpritur një hap të tillë, por kanë shprehur dyshime se një gjë e tillë ka gjasa të realizohet shpejt./Indeksonline/