E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderomania e shprehur në prag të zgjedhjeve

Shumë rrugë nëpër tërë Kosovën pritet të asfaltohen në vjeshtë. Komunat po shpallin njoftime të shumta kontrate në ueb faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik tash e dy muaj.

Si raporton KTV-ja, partitë që kryesojnë me shumicën e komunave, PDK, LDK e AAK, i rritën këto investime kryesisht në qytetet bastion të tyre.

Në Pejën e udhëhequr nga AAK-ja, nga 1 korriku e deri më 22 gusht të vitit të kaluar u dhanë 18 tenderë, ndërsa në periudhën e njëjtë sivjet numri i tenderëve arrin në 31. Zyrtarët komunalë thonë se kjo nuk ka të bëjë asgjë me zgjedhjet.

Në komunat e udhëhequra nga PDK-ja, për tenderë më të shpeshtë prijnë Prizreni e Skenderaj. Në qytetin jugor, derisa në korrikun e vitit të kaluar kishte vetëm 19 tenderë, korrikun e sivjetmë u tenderuan 30 projekte. Në komunën e vogël të Skenderajt, ndërkaq, nuk po vërehet shumë mungesa e kryetarit Sami Lushtaku. Në periudhën e njëjtë në vitin e kaluar ishin12, ndërsa sivjet 22 tenderë.

Sipas institutit ‘GAP’, gjithë këto projekte po bëhen vetëm për fushatë dhe punët e tenderimit nuk duhet të bëhen në verë.

Komuna e Prishtinës duket se po ashtu ka ndjekur këtë shembull. Zyrtarët e saj tani po përurojnë projekte, ngase tenderët për to i kryen kryesisht në pranverë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›