E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi, Pinari akuzon ushtarakët për Gërdecin

TIRANË- Ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO i pandehuri Ylli Pinari, para trupit gjykues të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, akuzoi ushtarakët e lartë të asaj kohe, si përgjegjës të shpërthimit të punishtes së demontimit në Gërdec më datë 15 mars 2008, ku për pasoj u vranë 26 persona dhe mbi 300 të tjerë mbetën të gjymtuar.


Sipas deklaratës së ish-drejtorit Pinari, kjo përgjegjësi vjen nga injorimi dhe mos zbatimi i Vendimeve të Këshillit të Ministrave, urdhrave të Ministrit të Mbrojtjes si dhe një sërë udhëzimesh të ndryshme të Forcave të Armatosura në lidhje me mënyrën dhe kushtet e kryerjes së demontimit të municioneve.


"Është për të ardhur keq kur këta ish/ ose edhe që janë ushtarak të lartë me detyra të rëndësishme komanduese, si Gjeneral, Kolonel, Nënkolonel e me detyra si Drejtor, Komandant Brigadash e Shefa Shtabi, jo vetëm që nuk i kanë zbatuar urdhrat e Ministrit të Mbrojtjes për detyrat e rëndësishme ushtarake, bile pa e vënë në dijeni vetë atë, por, edhe këtu para Gjykatës në mënyrë më absurde po injorojnë duke u justifikuar në mënyra të ndryshme për mos zbatimin e këto urdhrave. Justifikime këto të njëjta dhe tipike për proceset gjyqësore ku mbrohen trafikantët e drogës"-tha Pinari ndër të tjera para togave të zeza.


Duke sulmuar ushtarakët për justifikimet e ndryshme për mos zbatimin e urdhrave, Pinarit, shkoi më tej, duke i akuzuar edhe për mungesën e njohurive të tyre për t'i kuptuar Vendimet e Këshillit të Ministrave dhe urdhëresat e firmosur nga Ministri i Mbrojtjes së asaj kohe.


Sipas ish-drejtorit, në Gërdec është vërtetuar se kompania "SAC-Albademil" ka filluar punimet për adoptimin e sipërfaqes së repartit ku do të kryhej demontimi i municioneve para nënshkrimit të marrëveshjes dhe dhënies me qera të ambienteve. Kryerja e këtyre veprimeve, sipas Pinarit, janë lejuar nga drejtuesit e Komandës së Forcës së Bashkuar (KFB-së) dhe Komandës së Forcave Ajrore që ishin në varësi të KFB-së.


I pandehuri Pinari në vazhdim të deklaratës së tij, në lidhje me zërat dhe dëshmitë e dhëna në gjyq se ndërmarrja që ai drejtonte ishte privilegjuar nga KFB-ja, ish-drejtori i hodhi poshtë këto qëndrime. "Nuk ka pasur asnjë privilegj nga KFB-ja për MEICO-në në asnjë rast duke përfshirë këtu edhe rastin e Gërdecit. Në repartet e KFB-së nuk mund të futeshe dhe aq më pak të ushtroj aktivitet pa urdhër të Komandës.


Por, një gjë e tillë nuk është bërë në Gërdec, ku MEICO nuk kërkoi as verbalist apo zyrtarisht asnjë sipërfaqe për depozitim të municioneve apo ruajtje pasi detyra e MEICO-së përfundoi me dorëzimin në kamion të municioneve të firmës blerëse. Zënia e sipërfaqes nuk është bërë nga MEICO, pasi ajo nuk kishte asnjë lloj municioni në ngarkim aq më pak nënprodukte.


Të gjitha ishin të firmës SAC"-tha Pinari, duke kërkuar nga prokuroria e gjykata ri hetim të marrëveshjeve mes KFB-së dhe MEICO-së për kalimin e kapitaleve të fabrikës së Gërdecit në varësi të MEICO-së, që sipas Pinarit nuk është firmosur nga ana e tij dhe është kthyer për mos pranim të kësaj akt-marrëveshje të cilësuar si të njëanshme.


Por, çuditërisht, sipas Pinarit, kjo marrëveshje është firmosur nga dikush për të hequr përgjegjësit nga mos ruajtja e sipërfaqes dhe objekteve të repartit ushtarak pas ndryshimit të administrimit të pronës nga varësia e KFB-së në varësi të ndërmarrjes MEICO.


Si konkluzion, ish-drejtori Pinari rendit pasaktësitë dhe deklarimet e disa dëshmitarëve të thirrur në seancën gjyqësore, që kanë deklaruar në lidhje me mënyrën e kalimit të administrimit të pronës në varësi të MEICO-së.


Pas deklarimit të lirë të ish-drejtorit Ylli Pinari, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dy dëshmitarëve të akuzës, ish-punonjë stë MEICO-së të cilët kanë shpjeguar mënyrën e hierarkike të saj. Pas deklarimeve të tyre, gjykata ndërpre seancën gjyqësore për të vazhduar të hënën e ardhshme me paraqitjen e dëshmitarëve të tjerë të akuzës.

Në seancën e djeshme gjyqësore për herë të parë ishte e pranishmë edhe e pandehura Juliana Margariti që në kohën e shpërthimit të fabrikës së Gërdecit kryente detyrën e financieres pranë ndërmarrjes MEICO. Në fjalën e saj, pas dhënies së gjeneraliteteve Margariti mohoi akuzën duke e deklaruar vetën të pafajshëm.


Marsida Tasho, juriste e MEICO-së


"Jam njohur me urdhrin nr. 550 të Ministrit të Mbrojtjes të asaj kohe Fatmir Mediu mbi bazën e Vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e demontimit të municioneve në Gërdec. Në baze të tij kemi bërë praktikat, siç bëjme gjithmonë. Është krijuar grupi i punës për hartimin e kontratës SAC-it me MEICO-në.


Me kontratën e dhjetorit 2007 mes SAC-it dhe MEICO-së nuk jam njohur. Për kontratën jam vënë në dijeni pas ngjarjes, nga kontrolli i prokurorisë në sekretarinë e MEICO-së. Ndërsa sa i përket urdhrit 2044 i Ministrit të Mbrojtjes ishte i pazbatueshëm për MEICO-në në pikat 6, 7, 8. Kjo pasi MEICO nuk kishte kapacitetet e duhura për përballimin e transportit dhe sigurisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›