E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi i bandës shqiptare në Nju Jork, dënohen 2 krerët. Almir Rrapo rrezikon burgim të përjetshëm

Një gjykatë federale në Nju Jork ka shpallur fajtorë dy vëllezër shqiptarë për një seri akuzash, mes të cilave krijimi dhe drejtimi i organizatës kriminale. Bëhet fjalë për Bruno dhe Saimir Krasniqin, të cilët gjykata Federale e Manhatanit i shpalli fajtorë për shantazh, vrasje, tentativë vrasjeje, pengmarrje, trafik narkotikësh, vjedhje, armëmbajtje pa leje dhe akuza të tjera.

Në faqen zyrtare të FBI- së janë paraqitur detaje të gjyqit dhe dënimeve të dhëna

ndërkohë që është bërë e ditur se dy vëllezërit janë pjesë e një bande shqiptarësh që vepron në SHBA veçanërisht në Nju Jork.

Prokurori i çështjes, Preet Bharara, theksoi gjatë gjyqit se: Bruno dhe Saimir Krasniqi kanë drejtuar një nga organizatat kriminale më të pamëshirshme që kanë vepruar kohët e  fundit në Amerikë. Brenda gjashtë muajsh, ata bënë dy vrasje, dy rrëmbime, dy vjedhje të ngarkesave të drogës etj

Prokurori deklaroi se anëtarët e bandës kriminale, e njohur ndryshe si Organizata Krasniqi, janë fajtorë për vrasjen e Erion Shehut në vitin 2005 dhe Erenik Grezhdës në vitin 2006. Sipas prokurorit, Erion Shehu ishte anëtar i një grupi rival të Organizatës Krasniqi dhe në bazë të hetimeve të deritanishme në vrasjen e tij ka qenë i pranishëm edhe Almir Rrapo.

Gjatë fjalës së tij, prokurori falënderoi drejtësinë shqiptare për ekstradimin e menjëhershëm të Rrapos në Amerikë. Ai theksoi se para arrestimit, Almir Rrapo punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme shqiptare.

Almir Rrapo

Dy vëllezërit shqiptarë u shpallën fajtorë dhe për rrëmbimin e një tjetër shqiptari, Neritan Kocareli, edhe ky pjesëtar i një bande rivale, si edhe për vrasjen e Erenik Grezhës, i cili në fakt ishte anëtar i bandës së tyre.

Në pengmarrjen e Kocarelit dyshohet se ka marrë pjesë Almir Rrapo. Në bazë të ligjeve amerikane, dy vëllezërit Krasniqi rrezikojnë dënimin me nga dy burgime të përjetshme.

Nga A. Shëmbitraku

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›