Gjyqi i ish-krerëve të UÇK-së, avokatja e Krasniqit: Asnjë lidhje me krimet, Prokuroria përzgjodhi vetëm pjesët që i leverdisnin

Ka rinisur në Hagë seanca gjyqësore dhe tani është radha e mbrojtjes së Jakup Krasniqit që të shpalosë deklaratat përmbyllëse.
Avokatja e tij, Venkateswari Alagendra, tha se klienti i saj duhet të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet pranë familjes së tij.
Sipas saj, Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë lidhjen e pretenduar të klientit të saj me krimet.
“Prokuroria ka dështuar të vërtetojë lidhjen mes Krasniqit dhe krimeve të pretenduara dhe në veçanti që komunikatat, rregulloret e hartuara nga Jakup Krasniqi kanë ndihmuar, inkurajuar ose kanë pasur ndonjë lidhje me krimet e ngritura në aktakuzë. Në fund, Prokuroria tërhoqi pretendimin e saj se Krasniqi ka vizituar ku kanë qenë persona të ndaluar në Malishevë. Ky ishte i vetmi pretendim i ZPS-së që Krasniqi ka parë me sytë e tij një viktimë që ka qenë në ndalim. Një prokuror i përgjegjshëm nuk do të kishte ngritur kurrë një akuzë të tillë”, tha ajo.
Mbrojtja e Krasniqit e akuzoi Prokurorinë se ka përzgjedhur dokumente dhe pjesë të dëshmive të dëshmitarëve sipas interesave të saj, duke shtuar se ka injoruar pjesët e dëshmive që nuk i përshtaten ZPS-së.
Në këtë drejtim, ajo tha se ZPS nuk u ka dhënë peshën e duhur provave shfajësuese duke përmendur shembullin e një urdhri të lëshuar nga shefi i shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi më 28 nëntor 1998, dhe ka përzgjedhur vetëm pjesë të dëshmisë së tij dhënë Prokurorisë më 2019.
Zyrapi kishte thënë, sipas mbrojtjes, se urdhrin e mori pasi u konsultua me komandantin e përgjithshëm Azem Syla dhe sipas avokates, Prokuroria tha se ai kishte raportuar për këtë edhe te Krasniqi.
“Ajo çfarë nuk merr parasysh Prokuroria është dëshmia e Zyrapit që komandanti i përgjithshëm Azem Syla e jo Jakup Krasniqi ishte ai me të cilin ai kishte diskutuar ankesat përpara se të nxirrte urdhrin e 28 nëntorit 1998”, tha Venkateswari Alagendra.