E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjyqi për vrasjen e Behar Sofias, dëshmon bashkëshortja e organizatorit të ekzekutimit: E vëzhguan për 6 muaj

Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar procesi në ngarkim të Jemin Sherës i njohur me pseudonimin “bajlozi”, i cili akuzohet nga SPAK si organizator i vrasjes së Behar Sofias.

Sot kanë dëshmuar edhe pjesëtarët e stafit të lokalit ku biznesmeni pinte kafen. Tre dëshmitarët kanë rrëfyer se e njihnin viktimën pasi ai frekuentonte shpesh lokalin, që ndodhej pranë banesës së tij dhe ngjitur me qendrën tregtare pas Piramidës.

Pronarja e lokalit Engjëllushe Banaj ka theksuar se e ka në pronësi barkafen që prej 23 vitesh dhe Behar Sofian e njihte pasi e ka frekuentuar shpesh lokalin e saj po ashtu ai kishte banesën aty.

Ndërkaq, prokuroria lexoi në seancë edhe dëshminë e Ardjana Vathit bashkëshortes së Skënder Vathit, i dënuar me 30 vite burg për të njëjtën ngjarje.

Sipas deklarimeve paraprake ajo ka pranuar se ka shkuar disa herë për të pirë kafen në lokalin pas Piramidës.

Ndërkaq, SPAK ka shpjeguar se ata e kanë vëzhguar Behar Sofian për 6 muaj deri në vrasjen e tij në 25 shkurt 2021.

Thëniet e dëshmitarëve mbështeten edhe nga pamjet filmike të lokalit. Për këtë arsye, në seancën e radhës prokuroria ka kërkuar që të dëshmojë edhe Marsel Pirra i cili nuk është gjetur ende dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ernejt Shyti.

Të pandehurit e tjerë në këtë çështje, Xhuliano Visha, Leonardi Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leza janë dënuar me nga 30 vite burg për ngjarjen ndërsa bashkëpunëtori i drejtësisë që është edhe ekzekutori i Sofias, Ernejt Shyti është dënuar me 7 vite burg.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›