Gjyqtarë austriakë vizitë studimore në institucionet e drejtësisë shqiptare

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Një delegacion prej 29 gjyqtarësh austriakë, anëtarë të Shoqatës Evropiane dhe Shoqatës Austriake të Gjyqtarëve Administrativë, nisi sot, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, një vizitë dyditore studimore në institucionet e drejtësisë shqiptare.
Delegacioni u mirëprit në Këshillin e Lartë Gjyqësor nga kreu i KLGJ, Ilir Rusi, ku u njoh me rolin e këtij institucioni në garantimin e pavarësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit, si dhe me proceset e karrierës dhe vlerësimit të gjyqtarëve.
Në Shkollën e Magjistraturës, gjyqtarët austriakë u informuan mbi programet e formimit fillestar dhe trajnimit të vazhdueshëm për gjyqtarë dhe prokurorë, një element kyç për forcimin e kapaciteteve të sistemit të drejtësisë.
Vizita vijoi në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë, ku delegacioni diskutoi me gjyqtarët mbi praktikat gjyqësore në fushën administrative dhe ndoqi nga afër një seancë gjyqësore.
Kjo vizitë ofroi një mundësi të vlefshme për shkëmbim përvojash dhe për forcimin e lidhjeve mes institucioneve gjyqësore të Austrisë dhe Shqipërisë, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi drejtësie më transparent dhe më efikas.
/gj.m/r.e/