E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Gjyshja peshkatare”, Suzana Terolli nga Saranda prej 10 vitesh me grep buzë Jonit

Ndodh rëndom që buzë detit të Sarandës të shikosh njerëz që peshkimin me grep e kanë pasion.

Janë njerëz të detit, që tani zanatin e kthyer në pasion, ose mesoburra, që e ushtrojnë peshkimin me grep si hob, gjatë orëve të tyre të lira.

Ndërsa filli në duart e një gruaje është një befasi më vete. Për Suzana Terollin, peshkimi me grep është kthyer në një nevojë për të hequr stresin.

“Është një eksperiencë e bukur. Të heq stresin. Kam vite që e kam filluar. Më bëri për vete. Dal tre-katër ditë nga dy orë, tre orë,” tregon znj. Terolli.

Në këtë kërkim të peshkut me mjetet më të thjeshta të peshkimit në çantë, është e shoqëruar nga bashkëshorti i saj. Por në dyshen e tyre, Suzana është “violina” e parë.

Më e bukura e Suzanës është kur na thotë se është bërë dy herë gjyshe. Të katër fëmijët i ka të martuar e të rregulluar me familjet e tyre.

Kujton se kur ishin fillimet e saj në gjuetinë e peshkimit, e kishin ca të rëndë që ajo të bënte një “sport burrash”.

64-vjeçarja  e shikon dhe e merr jetën me sportivitet  të admirueshëm, prandaj edhe e shijon jetën, ashtu si t’i vijë, por edhe ashtu siç ajo di. E shijon përmes adrenalinës që i jep peshkimi me grep për disa orë çdo ditë. Edhe përmes shijes së peshkut të freskët, të zënë nga vetë ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›