Gjysma e objektit e kthyer në rrënojë, çfarë ka mbetur nga pallati 12 katësh që u përfshi nga zjarri, si paraqitet situata sot (Video)

Dëmet e shkaktuara nga zjarri tek pallati afër farmacisë 10 përballë QSUT në Tiranë janë të rënda. Edhe pse flakët janë shuar, nga ndërtesa vijon të dalë tym, ndërsa gjysma e objektit është kthyer në rrënojë. Janë 30 apartamente të prekur nga flakët.
Pallati u përfshi nga flakët pasditen e djeshme, ndërsa aksioni gjithëpërfshirës i zjarrfikësve, emergjencave civile, policisë, forcave Renea bëri të mundur që të mos kishte asnjë jetë të humbur. Ditën e djeshme u raportua për 11 persona të lënduar, kryesisht me djegie të lehta dhe asfiksi nga tymi, mes të cilëve 3 zjarrfikës.
Vatra e zjarrit dyshohet të ketë nisur në katin e parë të objektit dhe është përhapur më pas nga materiali i fasadës së pallatit, ndërsa ende vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë.
/rtsh.al/