“Glow Code” në Kukës, 14 vajza zhvillojnë për dy javë kurs për kodimin

Në Kukës u zhvillua ceremonia e diplomimit të 14 vajzave që morën pjesë në kursin dyjavor “GLOW CODE”, ku ato mësuan bazat e kodimit, ndërtimin e faqeve web dhe përdorimin kreativ të teknologjisë.
Gjatë trajnimit, vajzat krijuan webfaqe personale me ide të ndryshme, duke theksuar se kjo eksperiencë mund të shërbejë si pikënisje për biznese online në të ardhmen.
“Sot është dita e fundit e kampit Glow Code ku kemi pasur 14 vajza nga Kukësi për të prezantuar një zgjidhje teknologjike për një problematikë të caktuar në komunitetin e tyre duke bërë kodimet për webfaqe e tyre”, tha Benjamin Roe, vullnetar nga Korpusi Amerikan i Paqes
Në ditën e fundit të aktivitetit, pjesëmarrëset prezantuan punën e tyre përpara organizatorëve, bashkëmoshatarëve dhe prindërve, duke ndarë idetë dhe rëndësinë e përfshirjes në aktivitete që fuqizojnë të rinjtë, veçanërisht vajzat.
“Kam mësuar të jem si lider dhe të kodoj dhe shumë njohuri që do më nevojiten gjithë jetën”, tha njëra nga vajzat.
Ky projekt synon të nxisë pjesëmarrjen e vajzave në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, duke u dhënë mundësinë të zhvillojnë aftësi të dobishme për të ardhmen e tyre profesionale.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/