E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jep dorëheqjen zv.kryeministrja britanike, Angela Rayner

Zëvendëskryeministrja e Britanisë së Madhe, Angela Rayner, ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet që mbante në kabinetin e kryeministrit Keir Starmer, më pak se një vit pas marrjes së detyrës.

Vendimi i Rayner vjen në mes të një skandali që lidhet me akuzat për shmangie taksash dhe deklarim të rremë të transaksioneve të lidhura me një apartament bregdetar me vlerë 800 mijë paundë.

Mediat britanike raportojnë se këshilltari etik i qeverisë ka nisur një hetim ndaj saj, për mosshlyerje të plotë të taksës së pronës së dytë (stamp duty).

“The Guardian” shkruan se dorëheqja e Rayner përbën një goditje të rëndë për kryeministrin Starmer, i cili në fillim kishte zgjedhur ta mbështeste publikisht.

 “Tani, autoriteti i tij është dëmtuar seriozisht”, komenton gazeta.

Rayner është larguar jo vetëm nga posti i zëvendëskryeministres dhe sekretares për çështjet e strehimit, por edhe nga funksioni si nënkryetare e Partisë Laburiste – një pozicion i rëndësishëm që ajo e mbante me mbështetjen e anëtarësisë.

Në letrën e saj të dorëheqjes, Rayner tha se “ndjen keqardhje të thellë” për vendimin e saj për të mos kërkuar “këshilla shtesë nga specialistë tatimorë” lidhur me blerjen e pronës në Hove.

Nën trysninë e mediave dhe sondazheve negative, Starmer thuajse nuk kishte rrugë tjetër veçse të pranojë largimin e saj, duke u përballur me sfidën e parë të madhe politike të qeverisë së tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›