E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditen ndërtuesit

Ministria e Tregtisë ua ka marrë licencat mbi 100 kompanive të ndërtimit për shkak se nuk kishin inxhinierë të kualifikuar dhe shumë prej tyre punonin me dokumente të falsifikuara. Ministrja Mimoza Kusari-Lila thotë se po bëhen përpjekje për të vënë kritere të ashpra në sektorin e ndërtimtarisë Nga Agon Sinanaj më 22 prill 2011 në ora 08:09

Mbi 100 kompanive kosovare që merren me ndërtimtari u janë anuluar licencat. Vendimi është marrë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, bazuar në Ligjin për Ndërtime. Këtë vendim, të cilin e ka siguruar Express, MTI e bazon në nenin 21 të këtij ligji, ku thuhet se kompanitë e ndërtimit duhet ta kenë të angazhuar inxhinierin profesionist gjatë gjithë kohës së ndërtimit. Ndërkohë, ajo që ka ndodhur me kompanitë në fjalë është se shumica prej tyre kanë paraqitur ndonjë inxhinier vetëm sa për të marrë licencën. Të njëjtit pastaj janë larguar nga këto kompani.

Gjithashtu është vërejtur te shumica e kompanive që kanë falsifikuar dokumentet në këmbim të licencës.

Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë se ideja e krejt kësaj është që të krijohen kritere më të ashpra për kompanitë që destinim e kanë ndërtimin. Po ashtu është menduar që të krijohen kritere të caktuara, duke e shmangur burokracinë.
E ashtu qysh është sot, nëse një kompani ndërtimore dëshiron të aplikojë për licencë, duhet t’i kalojë disa ministri për t’u pajisur me të.

“Aktualisht licencat për ndërtimtari merren në disa ministri, duke ua vështirësuar punën. Dëshirojmë që kjo të ndryshojë dhe të vendosim kritere duke shmangur burokracinë”, ka thënë Kusari-Lila, për Express.

Miratimi i një plani të ri mbi kontrollin e licencave, sipas saj, është duke u përgatitur por nuk dihet se kur do të përfundojë.

Me këtë, tha Kusari-Lila, dëshirohet që t’i iket edhe falsifikimit të dokumenteve, që ka qenë edhe njëra nga arsyet për marrjen e këtij vendimi.

“Përveç burokracisë, ka pas edhe falsifikim dokumentesh prej kompanive”, ka thënë ajo.
Ndërkohë që nga paslufta kanë qenë po këto kompani që Ministria u ka anuluar licencat, e që kanë kryer ndërtime në Kosovë. Madje, shumë nga to kanë qenë edhe përfituese të tenderëve publikë.

Me Ligjin për Ndërtim thuhet se kompania që pajiset me licencë duhet që ndërtimin ta kryejë në përputhje me lejen e ndërtimit dhe miratimin e lokacionit. Gjithashtu, është kompania ndërtuese që me këtë ligj obligohet ta caktojë inxhinierin kryesor të vend-ndërtimit në cilësinë e përgjegjësit, i cili e udhëheq ndërtimin apo disa pjesë të ndërtimit.

“Realizuesi duhet të dëshmojë njohurinë e tij profesionale, përvojën dhe duhet të jetë i licencuar nga Ministria kompetente. Ministria me akt administrativ do të përcaktojë kushtet dhe masat e licencimit”, thuhet në këtë ligj.

Gjithnjë, sipas këtij ligji, Ministria me anë të aktit administrativ do të përcaktojë lejimin, trajnimin, përfundimin dhe testimin profesional të inxhinierëve dhe shpërndarjen e detyrave ndërmjet disa inxhinierëve. Secila kompani ndërtuese duhet ta ketë inxhinierin mbikëqyrës.

“Inxhinieri mbikëqyrës është personi i autorizuar për mbikëqyrjen profesionale, i cili është përgjegjës për zbatimin e projekteve dhe të punëve ndërtimore në përputhje me Ligjin e Planifikimit Hapësinor, dispozitave të këtij ligji, kodeve ekzistuese dhe të projekteve për të cilat është dhënë leja e ndërtimit”, thuhet në Ligjin për Ndërtime.

Për më tepër, ai duhet të japë udhëzimet e nevojshme për këtë qëllim dhe ka detyrën e sigurimit të funksionimit teknik të sigurt të vend-ndërtimit dhe koordinimin e punës së realizuesve, nëse nuk është më shumë se një realizues. Mirëpo, nuk ndikon në përgjegjësinë e zbatuesit. Ai është vetëm përgjegjës që të informojë investuesin për mangësitë ose parregullsitë gjatë ndërtimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›