Feith nuk do t'i pengojë ndryshimet kushtetuese

Periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur do t’i vijë fundi shpejt
Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, të cilit i kanë mbetur edhe dy javë në Kosovë, tha sot se pavarësisë së mbikëqyrur shumë shpejt do t’i vijë fundi dhe se veriu i vendit do të mbetet pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës.
Ai këto komente i bëri gjatë një ligjërate në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku u është përgjigjur edhe pyetjeve të shumta të nxënësve për ndryshimet kushtetuese, bisedimet me Serbinë, liberalizimin e vizave e tjera.
Pasi ka mbajtur një ligjëratë, ku u ka kërkuar nxënësve që si gjeneratë e re, të jenë mbështetës të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe pajtimit me Serbinë, Feith nuk ka kaluar lehtë nga pyetjet e shumta të nxënësve, të cilët kanë kërkuar mes tjerash të dinë më shumë për veriun e vendit.
Por Feith ka thënë qartë se veriu do të mbetet në Republikën e Kosovës dhe për këtë ai ka thënë se është duke u punuar nga të gjithë mekanizmat.
“Jemi duke punuar shumë ngushtë me Qeverinë që të arrijmë deri te qytetarët e veriut, të punojmë me ta dhe jam i bindur se do të arrijmë progres, qoftë përmes dialogut, qoftë përmes mjeteve tjera”, ka thënë Feith.
Ai ka theksuar se ndërkombëtarët nuk duhet të rrinë në Kosovë asnjë minutë më shumë se që është nevoja dhe se rolit të tij si mbikëqyrës i pavarësisë do t’i vijë fundi shumë shpejt.
“Rolit tim si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar është duke i ardhur fundi ngadalë. Shpresoj se do të kem rastin të vij sërish në mesin tuaj, por jo fort larg nga kjo ditë, mandatin si mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës do të marrë fund dhe mendoj se kjo është gjëra e duhur për ta bërë, sepse mendoj se ndërkombëtarët nuk duhet të rrinë në Kosovë, asnjë minutë më gjatë sesa që është e nevojshme. Kosova është e juaja, ajo nuk i përket bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj, unë jam i gatshëm të vazhdoj të mbështes dhe ndihmoj institucionet, por ju siguroj se periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur do t’i vijë fundi shumë shpejt”, ka thënë Feith.
Gjimnazistët janë interesuar të dinë nëse Feith do të ndikojë në ndryshimet kushtetuese dhe nëse pakicat do të vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara në Kuvend, por Feith ka thënë se do të ndihmojë, po assesi të ndikojë, ngase këto ndryshime janë në dorën e Kuvendit të Kosovës.
I pyetur rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe përfitimit që mund të ketë Kosova nga ky proces, Feith ka thënë se pa dialog mund të dëmtohet zhvillimi i Kosovës dhe i Serbisë, ndërkohë që ka pranuar se nuk ka mundur t’u kërkojë edhe fëmijëve serbë pajtimin me shqiptarët, ashtu siç e ka kërkuar të enjten nga nxënësit e “Sami Frashërit”.
Por të rinjtë e “Sami Frashërit” nuk janë mjaftuar me kaq, por kanë kërkuar të dinë se pse Kosova nuk mund të vetëvendosë.
“Ju keni vetëvendosje, keni pasur zgjedhje, qytetarët mund ta shprehin lirisht mendimin dhe vullnetin e tyre, keni qeveri të re, presidente të re. Çka kërkoni më tepër? Keni ministrin më të mirë të arsimit”, ka thënë Feith.
Lavdërimet nga ana e Feithit, duket se e kanë motivuar edhe më shumë ministrin e Arsimit, Ramë Buja, i cili pasi ka lavdëruar gjimnazin “Sami Frashëri” si më të mirin në Kosovë, ka thënë se në fokus të tij do të jetë ngritja e cilësisë në të gjitha shkollat.
Ai ka vlerësuar lart ligjëratën e Feithit, ndërkaq ka përcjellë një porosi te nxënësit e kësaj shkolle.
“Nuk ka kaluar shumë kohë që ne jemi ballafaquar me gjënë më të tmerrshme që mund ta përjetojë njeriu, me një gjenocid të paparë. Por ne kemi realizuar lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë që e kemi pasur synim. Kjo ka përfunduar. Dhe ndjenja dhe përcaktimi patriotik i dikurshëm që kishim duke vuajtur burgjeve, duke realizuar lirinë me luftën ka përfunduar. Patriotizëm mbi patriotizëm për ju tani është që të jeni njerëz të dijes dhe këtë besoj se do ta realizoni”, është shprehur Buja. (KosovaPress)