E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet grupi i trafikut të drogës në Itali, 4 shqiptarë në pranga, mes tyre “kapoja” i bandës! Paratë e kokainës silleshin në Shqipëri

Pesë persona, katër me kombësi shqiptare dhe një me kombësi tuniziane, të gjithë të moshës nga 30 deri në 50 vjeç, janë arrestuar nga policia italiane për trafik ndërkombëtar droge.

Në total janë 19 persona nën hetim, mes të cilëve edhe një korrier italian 90 vjeç.

Sipas policisë, pesë të arrestuarit dyshohet se kishin importuar drogë nga Holanda.

Vetëm në periudhën prill-nëntor 2020, grupi dyshohet se ka importuar në Itali 41,5 kilogramë kokainë, 76,5 kilogramë marihuanë dhe 280 kilogramë hashash.

Vlera e këtyre ngarkesave të lëndëve narkotike, sipas vlerësimeve të policisë, mund të llogaritet në 5 milionë euro.

Hetimi

Hetimet ishin të gjata dhe komplekse, tha në një konferencë për shtyp nënkomisarja Natalia Riga.

Anëtarët e grupit kriminal përdornin ‘kriptofona’ të ofruara nga rrjeti i komunikimit Sky Ecc.

Bëhet fjalë për telefona celularë të ngjashëm me telefonat inteligjentë të zakonshëm që përdorin sistemin Android, por të modifikuar me përmirësime harduerike në mënyrë që ata që i përdorin të mund të komunikonin në një mënyrë të sigurt.

Hetimet kanë zgjatur gjatë periudhës prill-nëntor 2020. Në atë kohë, policia nuk kishte mjetet për të deshifruar bisedat e anëtarëve të grupit kriminal.

Pika e kthesës erdhi në vitin 2021, kur forcat policore në Belgjikë, Holandë dhe Francë arritën të ‘hakojnë’ sistemin.

Zyra e Prokurorit Publik të Bolonjës më pas mundi të merrte çelësin e deshifrimit dhe filloi të ‘përkthejë’ mesazhet e përdoruesve nën hetim.

Hetuesit rindërtuan identitetin e anëtarëve të grupit falë informacionit që ata ndanë me njëri-tjetrin, si ku jetonin apo makinën që drejtonin.

Arrestimet dhe kontrollet

Lënda narkotike, kryesisht kokainë, importohej në Bolonjë nga korrierë që e fshihnin drogën brenda kamionëve dhe në Itali shitej me pakicë. Pjesa më e madhe e parave përfundoi në Shqipëri, ku u riinvestuan për të blerë më shumë drogë me shumicë.

Efektivët e Bolonjës, Riminit, Trevisos, Veronës dhe policia spanjolle arrestuan dje pesë anëtarët e grupit kriminal.

Nën hetim janë gjithsej 19 persona, ndërsa kontrolle të tjera janë kryer edhe në qytetet Modena, Ferrara dhe Frosinone, ku policia ka sekuestruar 15 mijë euro cash, fishekë, dy makina dhe materialin për paketimin e drogës.

Banda

Kreu i grupit kriminal ishte një shqiptar rreth të dyzetave, i cili gjatë hetimeve ishte banues në provincën e Bolonjës.

Ai vendoste për gjithçka: përcaktonte importet dhe cilësinë e drogës, zgjidhte korrierët dhe kush do t’i transportonte paratë në Shqipëri, ku më pas riinvestoheshin.

Gjatë hetimeve, shqiptari u largua nga Italia, dhe u zhvendos në provincën e Barcelonës, ku u arrestua.

Më pas komanda e bandës kaloi në duart e nipit të tij, gjithashtu me origjinë shqiptare, banues në provincën e Bolonjës.

Mes të dyshuarve është edhe një burrë shumë i moshuar, gati nëntëdhjetë vjeç, italian dhe pa precedentë penalë, gjithashtu banues në provincën e Bolonjës.

Burri përdorej si ‘subjekt i padyshimtë’ për transportin e drogës. I moshuari nuk është arrestuar, por është nën hetim./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›