E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA/ Të shtëna me armë në New Mexico, vriten tre adoleshentë! 15 të plagosur

Tre persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën pas të shtënave mes dy grupeve rivale në një ekspozitë të paligjshme makinash të premten në shtetin amerikan të New Mexico, sipas autoriteteve lokale.

Të shtënat ndodhën në Young Park në qytetin e Las Cruces, rreth orës 22:00 me orën lokale, raporton BBC. 

“Nuk ka pasur arrestime”, por departamenti po kërkonte pista, tha shefi i policisë së Las Cruces, Jeremy Story në një konferencë për shtyp të shtunën.

Dy 19-vjeçarë dhe një djalë 16-vjeçar vdiqën nga të shtënat, tha policia.

“Ka pasur një sherr mes dy grupeve të njerëzve dhe ajo përleshje u përshkallëzua në të shtëna me armë zjarri mes të dy grupeve,” tha zoti Story.

“Disa persona të tjerë u plagosën gjithashtu nga të shtënat.”

Rreth 50-60 gëzhoja plumbash nga pistoletat u gjetën në vendngjarje, tha policia, duke shtuar se vendi i krimit ishte i madh dhe rreth 200 njerëz kishin qenë në park.

Policia ka kërkuar që çdo dëshmitar të dalë me informacione apo video.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende emra të ndonjë prej viktimave.

“Sot mbajmë zi për një ngjarje tragjike, të pakuptimtë, të tmerrshme që ndodhi në qytetin tonë mbrëmë”, tha kryetari i bashkisë së Las Cruces, Eric Enriquez.

“Nuk ka vend për dhunë si kjo në komunitetin tonë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për ta bërë komunitetin tonë të sigurt,” tha ai./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›