E Hënë, 2 Nëntor 2026

Goditet rrjeti i mashtrimit kompjuterik, baza në Tiranë. SPAK: Pre ishin kryesisht shtetas gjermanë, 6 të arrestuar, 2 në kërkim

Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, kanë bërë të mundur goditjen e një grupi kriminal në fushën e mashtrimeve kompjuterike, ku të dëmtuar ishin kryesisht shtetas gjermanë, por edhe nga vende të tjera të Evropës.

14 shtetas gjermanë janë identifikuar si viktima të skemës mashtruese, ndërsa baza e aktivitetit kriminal ishte në Tiranë, përmes një Call Center-i, ku u gjetën edhe prova për aktivitetin e paligjshëm.

Sipas prokurorit të SPAK, Eneid Nakuçi, gjatë operacionit të koduar “Pandora”, në Shqipëri janë dhënë 8 urdhër arreste, 5 me burg dhe 3 me arrest shtëpie. Në kuadër të tyre, sqaroi SPAK, këtë të enjte, 31 korrik, është bërë e mundur arrestimi i 6 personave (5 meshkuj dhe një grua), të moshave 21 deri në 36 vjeç, ndërsa 2 të tjerë janë ende në kërkim.

Gjithashtu SPAK sqaroi se “mashtruesit hiqeshin si oficerë policie, duke ju premtuar se ishin duke hetuar për humbjet që ata kishin bërë në Forex dhe kriptovaluta”.

Drejtuesi i operacionit “Pandora” në Gjermani bëri të ditur se rrjeti kriminal vepronte nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Libani, Kosova dhe Serbia, ndërsa u identifikuan 12 qendra ndërkombëtare thirrjesh dhe dhjetëra autorë të përfshirë.

Hetimet për goditjen e këtij rrjeti mashtrimi kompjuterik zgjatën 18 muaj, prej dhjetorit 2023, dhe janë zhvilluar paralelisht në Shqipëri dhe Gjermani.

“Prej dhjetor 2023 ne nisëm të përgjonin mbi 20 telefonata mashtruese në ditë dhe krijuam një kundërqendre thirrjesh e krijuar nga polica me qëllim që të këto telefonate të kapshin në kohë reale dhe të shmangin humbjen financiare prej 10 mln euro. Paralelisht filluam edhe hetime komplekse për krimin kompjuterik që të lokalizmin e qendrave të thirrjeve dhe autoret që ishin në 5 shtete Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Liban, Kosovë dhe Serbi. Qëllimi nuk ishte vetëm arrestimi i autorëve por edhe goditja e plotë e kësaj organizate kriminale të madhe. Grupi kishte stad të lartë organizmi dhe vepronte nga Tirana dhe çoi në identifikimin e personave të arrestuar”, tha drejtuesi gjerman i operacionit.

Autoritetet theksojnë se qëllimi nuk ishte vetëm arrestimi i personave të përfshirë, por shkatërrimi i plotë i strukturës kriminale që vepronte në disa shtete.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›