Pas Kanadasë, Francës e Britanisë së Madhe, edhe Gjermania gati të njoh ‘Shtetin Palestinez’, Trump kundërshton ashpër

Diskutimet për njohjen e një shteti palestinez po fitojnë vrull, me Gjermaninë, Kanadanë dhe Portugalinë që sinjalizojnë hapa drejt këtij qëllimi. Kjo lëvizje, e cila shihet si një përpjekje për të zgjidhur krizën e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, po ndesh me kundërshtimin e fortë të presidentit amerikan Donald Trump dhe të Izraelit.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha sot se ndërsa Berlini beson se njohja duhet të vijë në fund të një procesi, “negociatat duhet të fillojnë tani”. Ai theksoi se Gjermania do të qëndrojë pranë Izraelit duke kërkuar lirimin e pengjeve dhe çarmatosjen e Hamasit, por kërkoi gjithashtu që Izraeli të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të përmirësuar situatën humanitare në Rripin e Gazës.
Një hap më konkret vjen nga Kanadaja dhe Portugalia. Kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi se Kanadaja synon të njohë shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. Kjo u pasua nga një deklaratë e Portugalisë, e cila po shqyrton gjithashtu njohjen e shtetit palestinez në të njëjtin event.
Këto njoftime kanë provokuar një reagim të menjëhershëm nga Presidenti amerikan, Donald Trump. Në një postim në platformën sociale “Truth”, Trump e quajti vendimin e Kanadasë një “gabim” që do ta bëjë “shumë të vështirë” arritjen e një marrëveshjeje tregtare me ta. Ai kritikoi gjithashtu kryeministrin britanik Keir Starmer, duke e cilësuar njohjen e shtetit palestinez si një “shpërblim për Hamasin”.
Nga ana tjetër, Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e përshëndeti vendimin e Kanadasë si “historik dhe të guximshëm”, duke thënë se ai do të “forcojë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon”.
Ministria e Jashtme e Izraelit, megjithatë, kritikoi ashpër qëndrimin e Kanadasë. Në një deklaratë, ajo theksoi se ky ndryshim në qëndrim “është një shpërblim për Hamasin dhe minon përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve”. ANSA
/rtsh.al/