E Enjte, 5 Nëntor 2026

Policia ndihmon 4 turistë gjermanë të bllokuar në Theth

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Një grup turistësh të huaj janë rrëzuar në vendin e quajtur Qafa e Pejës, në Theth, në rrugën që lidh Thethin me Plavën e Gucinë.

Sipas informacioneve njëri prej tyre nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Për shkak se transporti drejt Tiranës me rrugë tokësore ishte i pamundur është angazhuar helikopteri i Emergjencave Civile EC 135. Pas tij është dashur ndërhyrja e helikopterit “Cougar” për tërheqjen e të lënduarit me vinç.

Forcat e Armatosura janë dhe do të vijojnë të jenë në gatishmëri për çdo nevojë që ka komuniteti, por u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që dëshirojnë të eksplorojnë bukuritë e vendit, veçanërisht turistëve që të bëjnë kujdes gjatë sezonit veror, për të shmangur situata të tilla, në zona me terren të panjohur dhe të vështirë.

Sipas njoftimit të policisë, në vendin e quajtur “Qafa e Pejës”, 4 turistë gjermanë, duke eksploruar në këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në mes të malit ku njëri prej tyre ishte dëmtuar dhe nuk mund të vijonte rrugën.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Postën e Policisë Theth dhe me shërbimet e emergjencave civile, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët”, njofton Policia.

“Shërbimet e emergjencave civile kanë kontrolluar zonën me helikopter dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve. Turisti i dëmtuar është transportuar me helikopter në spitalin e Traumës, Tiranë për ndihmë mjekësore”, bën të ditur Policia.

“Falë punës së mirorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur edhe nxjerrjen e 3 turistëve të tjerë nga terreni i vështirë ku kishin mbetur të bllokuar. Turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord”, sqaron policia.

“Policia e Shkodrës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”, përfundon njoftimi.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›