Goditi për vdekje 48-vjeçarin pas sherrit për parkimin, arrestohet autori

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e 21 shkurtit në lagjen nr. 3 të Kavajës, ku një 48-vjeçar ka humbur jetën pasi u godit disa herë me mjet prerës gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, pas disa orësh kërkimesh intensive, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit L. D., alias L. P., 48 vjeç, banues në lagjen nr. 3, Kavajë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se rreth orës 14:22, gjatë një konflikti të çastit, ai ka goditur me thikë shtetasin S. V., alias S. I., 48 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë.
Pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar është larguar nga banesa, por është arrestuar pak orë më vonë nga forcat e Policisë. Gjatë veprimeve hetimore, grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe mjetin prerës (thikën) që dyshohet se u përdor në krim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
/rtsh.al/