Goditja ndaj Ismailit, për shkak të pjesëmarrjes së tij në protestën e opozitës

Përfaqësuesit e PD e LSI-së dhunojnë atë të PS-së
MALLAKSTËR - Gjendja e tensionuar politike për shkak të krizës midis mazhorancës dhe opozitës për çështjen e transparencës së zgjedhjeve ka zbritur edhe në bazë. Tre përfaqësues të partive kryesore në vend, PD, PS dhe LSI, në rrethin e Mallakastrës janë përfshirë paraditen e djeshme në një grindje midis tyre. Ngjarja, e cila ka ndodhur në qendër të qytetit të Ballshit ka ardhur si pasojë e angazhimit të tyre politik, kur vetëm një ditë më parë koordinatori i Partisë Socialiste, Pajtim Ismaili, për rrethin e Mallakastrës ka marrë pjesë në protestën e opozitës së dy ditëve më parë në një nga fshatrat e këtij rrethi. Dy personat e tjerë të përfshirë në këtë grindje janë Gentian Dervishaj nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim po në rrethin e Mallakastrës, si dhe Besnik Murataj, kryetar i PD-së në seksionin e fshatit Kutë. Sipas versionit të paraqitur nga burimet e PS-ja, kanë qenë dy përfaqësuesit e partive në pushtet ata që kanë goditur përfaqësuesin e majtë, për shkak të orientimit të tij politik. Të tre personat janë përfshirë në konflikt në ambientet e dyqanit në pronësi të Pajtim Ismailit. Në këtë grindje Gentian Dervishi, i cili është nënkryetasr i LSI-së për rrethin e Mallakastrës ka qenë i shoqëruar edhe nga Besnik Murati. Në momentin e mbërritjes në ambientet e biznesit të Ismailit të dy përfaqësuesit e shumicës në pushtet e kanë qëlluar atë pa asnjë shkak, duke bërë që situata të degjenerojë në grushte. Pas konfliktit të dyja palët kanë kryer denonocimet përkatëse në polici. Ndërsa vetë përfaqësuesi i PS-së, Ismaili shprehet se dy përfaqësuesit e partive në pushtet, e kanë goditur dhe njëkohësisht e kanë sharë atë, për shkak të pjesëmarrjes së tij në protestën e Fratarit të dy ditëve më parë. "Kam qënë në punën time private, kur më vjen Gentian Dervishi dhe Besnik Murati pa asnjë shpjegim më kanë sharë për protestën e Fratarit, e cila është zhvilluar dje, e më kanë rrahur. Kanë arritur të më plagosin, grisin xhaketën duke më u goditur në trup. Kam njoftuar policinë dhe ajo ka dërguar policë ku dhe unë kam bërë denoncimin në policinë e Ballshit",- ka thënë ai. Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike për këtë rreth Agron Kapllanaj ka nënvizuar se ky konflikt nuk është një konflikt politik, por thjesht një grindje personale. Ndërkaq policia e Ballshit ka nisur edhe hetimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje. Ky nuk është rasti i parë kur një simpatizant i Partisë Socialiste dhunohet nga milintatët e PD-së, këtu vlen të përmendin dhunimin e Isuf Kamberajt nga militant i djathtë Pëllumb Myrtaj, disa javë më parë në komunën Ruzhdie të qarkut Fier, e cila ka qenë në qendër të debatit politik për shkak të parregullsive në procesin zgjedhor gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Goditja ndaj mbështetësit të PS-së
Reagon "selia rozë": Qeveria të distancohet nga këto akte
TIRANË- Partia Socialiste reagoi dje ndaj aktit të goditjes së kreut të kësaj force politike për Mallkastrën Pajtim Ismaili, nga përfaqësuesit lokalë të Partisë Demokratike gjatë protestave të opozitës në këtë zonë. Gjatë një konferencë për shtyp, deputeti i Partisë Socialiste, Piro Lutaj theksoi se fakti që ky agresion është iniciuar nga zyrtarët lokalë të Partisë Demokratike atëherë sipas tij, kemi të bëjmë me një fushatë dhune të ndërmarrë nga shumica në pushtet e drejtuar nga Kryeministri Berisha."Fakti që në asnjë rast, Partia Demokratike dhe Sali Berisha nuk janë distancuar nga këto akte që nuk kanë vend në një demokraci, fakti që këto sulme janë nxitur nga zyrtarë lokalë e partiakë të partisë në pushtet, flasin qartë se këtu bëhet fjalë për një fushatë dhune e kërcënimesh që po ushtrohet nga partia e Sali Berishës kundër opozitës shqiptare",- tha dje Lutaj. Duke iu referuar dhunimit të një mbështetësi të Partisë Socialiste në komunën Ruzhdie disa javë më parë nga një militant i PD-së, Lutaj vuri në dukje se goditja ndaj Isamilit nuk është një rast i izoluar, ndërsa shtoi se ende shteti shqiptar nuk ka hedhur dritë mbi autorët e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi vitin e kaluar. "Dhunimi i kryetarit të PS për rrethin e Mallakastrës nuk është më një rast i vecuar e sporadik. Pak kohë më parë, pre e kësaj dhune qeveritare u bë një mbështetës i PS në fshatin Ruzhdie. Pak kohë më parë deputetit të Partisë Socialiste në Vlorë, Eltar Deda iu vendos një mjet eksploziv nën makinë, ndërkohë që mbetet ende e pazbardhur vrasja e kolegut e mikut tonë të ndjerë Fatmir Xhindi",- u shpreh ai. Në emër të grupimit politik ku ai bën pjesë, Lutaj i bëri thirrje Kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga përpjekjet për të ndalur aksionin politik të opozitës, si në përjashtimet e deputetëve socialistë nga senacat plenare të Kuvendit, ashtu edhe në rastet kur dhunhen mbështetësit politikë të saj. "Në i bëjmë thirrje Sali Berishës që të heqë dorë nga këto tentativa të kota për të trembur e për t'i mbyllur gojën opozitës, qoftë me përjashtime nga parlamenti, qoftë duke goditur e dhunuar përfaqësuesit e saj. Kjo sjellje primitive shton vendosmërinë e Partisë Socialiste për të protestuar deri në largimin e Sali Berishës i cili nga dita në ditë po e con demokracinë shqiptare drejt greminës",- nënvizoi Lutaj