E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat, Braçe: Kjo qeveri po na shkatërron

Vala e protestave të PS-së ka zbritur edhe në qarkun e Beratit. Tubime në Berat dhe Çorovodë


BERAT - Banorët e Beratit kanë protestuar dje për shkurtimin e fondeve për ndërtimin e tregut nga pushteti qendror. Protestuesit, të cilët kryesoheshin nga kreu i bashkisë së këtij qyteti, Fadil Nasufi, dhe dy deputetët e Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Ermonela Felaj, kanë kërkuar që qytetit të Beratit të mos i ndërpriten fondet nga qeveria siç është bërë në këto 20 vite. Kryetari i kësaj bashkie, Fadil Nasufi, i ka bërë thirrje Kryeministrit Sali Berisha që të respektojë marrëveshjen midis dy pushteteve për të ndihmuar qytetin. Por, sipas tij, duke qenë se deri më tani qeveria shqiptare nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, tregon për mungesën e vullnetit politik nga ana e kreut të ekzekutivit për të bashkëpunuar. "Ne jemi këtu, në këtë protestë për t'i treguar Sali Berishës, se ne nuk të lejojmë që të na vjedhësh fondet për ndërtimin e tregut. Ne i bëjmë thirrje qeverisë Berisha që të ndihmojë Beratin se ka 20 vjet që nuk po i jep fonde. Qyteti në UNESCO, nuk e meriton një treg "geto''. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Berishës nga kjo protestë që të respektojë marrëveshjen. Ne sot protestojmë për një varfëri të madhe, infrastrukturë të shkatërruar përballë kësaj situate Berisha nuk ka vullnet politik për të ndihmuar Beratin. Në këtë qytet, çdo ditë rriten borxhet 1600 familje me 4 persona jetojnë me 4600 lekë në muaj" , - tha dje Nasufi gjatë protestës. Nasufi vuri në dukje se rreth 50% e familjeve në qytetin e Beratit jetojnë duke blerë ushqime me listë tek tregtarët. Ndërkaq, kryetari i Partisë Socialiste të Beratit, Selman Hodaj, theksoi se qyteti është në prag të katastrofës dhe se varfëria bën që protestës ndaj qeverisë t'i bashkohen të majtë dhe të djathtë. "Ne na bashkon dhimbjet që kanë një emër varfëri. Qyteti është në prag të katastrofës. Në protestë na bashkojnë varfëria të majtë e të djathtë", - tha ai. Më pas, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, nënvizoi se qeveria po shkatërron të gjithë vendin duke privatizuar të gjitha institucionet e vendit. Por, sipas tij, protestat e opozitës do të vazhdojnë në ditët në vijim për të kulmuar në datën 25 prill në Berat dhe më 30 prill në Tiranë me qëllim largimin e qeverisë së Kryeministrit Berisha. "Kjo qeveri po na shkatërron, ajo do të privatizojë të gjitha institucionet dhe populli nuk përfitojë as një qindarkë. Ne do të vazhdojmë protestat sa të largojmë Berishën. Duke nisur që në protestën që ne do të organizojmë më 25 prill në Berat dhe më 30 prill në Tiranë", - është shprehur Braçe. Gjithashtu, një protestë e ngjashme është mbajtur edhe në Skrapar, konkretisht në qytetin e Çorovodës, ku ka marrë pjesë edhe deputeti i PS-së, Fidel Ylli, i cili ka theksuar se kjo protestë zhvillohet në kuadrin e protestave të shumta të opozitës për të hapur kutitë e votimit. Sipas Yllit, nëpërmjet protestave populli opozitar duhet të ndryshojë qeverisjen dhe situatën ekonomike në vend, të cilat sipas tij, janë përkeqësuar që nga grabitja e votave në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›