E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Në qeveri ose jashtë koalicionit

Partia Republikane kërcënon me largim nga koalicioni qeverisës në rast se brenda muajit korrik nuk përfshihet zyrtarisht në kabinetin qeveritar me një portofol ministri. Pas një sërë negociatash jo të suksesshme, duket se republikanëve u ka sosur durimi dhe kërkojnë me doemos përfaqësimin në qeveri. Kërcënimi ka ardhur nga presidenti i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo, i cili në një komunikim me mediat ka vlerësuar se me ecurinë e deritanishme të negociatave me kreun e qeverisë është vënë në dyshim dhe pjesëmarrja në koalicionin e djathtë qeverisës. “Me të vërtetë Partia Republikane mbetet në një pozitë të vështirë dhe ne duhet të vëmë në diskutim pjesëmarrjen tonë në koalicionin qeveritar. Unë jam i bindur që Berisha ka ditë që kërkon të zgjidhë këtë. Mbase donte ta zgjidhte që ditën e parë të korrikut, por kanë dalë probleme të tjera para, ngjarje të ndryshme politike”, - deklaroi Godo. Për ish-kryerepublikanin Godo ky kërcënim ka vlerë vetëm për largimin nga koalicioni qeveritar dhe jo nga koalicioni i së djathtës. “Them thjesht koalicioni qeveritar sepse ne do të jemi gjithnjë në koalicionin e djathtë”,- tha Godo. Sipas tij është e papranueshme që partia e dytë më e madhe e së djathtës të qëndrojë pesë muaj jashtë kabinetit qeveritar, ku parti fare pa peshë në këtë koalicion mbajnë ministri të rëndësishme. Duke përjashtuar veten dhe kryetarin e partisë Fatmir Mediu, Godo vlerëson se PR ka të gjitha potencialet e nevojshme për të drejtuar çfarëdolloj dikasteri ministror. “Këta që janë drejtues në PR, përjashtohet Mediu dhe përjashtohem unë, të gjithë të tjerët mund të konkurrojnë. Ne nuk kemi diskutuar dhe jam krejt i sinqertë në këtë që them, emra individësh, sepse duam të dimë më parë dikasterin që do të na ofrohet”, tha ish-kryerepublikani. Pa u futur në emrat e dikastereve dhe individëve që janë diskutuar gjatë negociatave me kreun e qeverisë, Godo nuk ka ngurruar të thumbojë dhe aleatët e tjetër të PD-së në qeveri. “Unë kam qenë gjithnjë për atë që, partitë që marrin përsipër të drejtojnë një dikaster, duhet të zgjedhin njeriun që ka njohuri profesionale, sidomos kur bëhet fjalë për një dikaster me profilizim të thellë dhe të caktuar, siç janë Drejtësia, Shëndetësia, Ministria e Bujqësisë etj. Nuk pajtohem me atë mendim se ministri është një njeri politik dhe nuk ka rëndësi se cilën ministri i jepet të drejtojë. Nuk mund të ketë vakum në Këshillin e Ministrave dhe nuk mund të lihet jashtë PR, e cila është partia e dytë në koalicionin e djathtë, ndërkohë që parti fare pa peshë dhe me vetëm dy deputetë mbajnë drejtojnë dikastere të rëndësishme”, theksoi Godo. Siç është bërë e ditur gjatë këtyre ditëve, republikanët në bisedimet që kanë zhvilluar me kryeministrin Berisha, por edhe në mbledhjen e forumeve të larta drejtuese kanë kërkuar që të drejtojnë Ministrinë e Shëndetësisë, çka ka krijuar dhe një përplasje me demokristianët të cilët janë të prirur të mos e lëshojnë këtë ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›