E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Zgjidhja nga Venecia, ata s’duan t’ia dinë për partitë



Politikani i njohur Sabri Godo shprehet se maxhoranca dhe opozita duhet t’i drejtohen Venecias për të zgjidhur krizën që ka mbërthyer vendin që pas 28 qershorit. Në një prononcim për mediat ai është shprehur se ky institucion juristësh është i duhuri për këtë çështje dhe ai nuk ndikohet nga partitë politike. “Komisioni i Venecias është institucioni i duhur. është i përbërë nga personalitete në fushën e drejtësisë të njohur në Evropë. Janë me të vërtetë krejt të paanë. Ata nuk duan të dinë parti, nuk duan të dinë të djathtë e të majtë. Ata janë organi më i përshtatshëm që mund të japë një gjykim për një konflikt të tillë. Do të ishte mëkat që ajo të mos shfrytëzohej”, tha Godo. Sipas kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partitë Republikane nuk duhet të jenë ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë ata që duhet të zgjidhin krizën, por vetë forcat politike. “Duke lënë mënjanë idenë se njëra palë duhet të mposhtë tjetrën dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Duhet të dy palët të ndahen me nder nga ky sherr. Secili të marrë të vetat. Në qoftë se nuk bëhet kjo atëherë unë do t’i quaja këta që janë në krye njerëz që nuk marrin mbi vete përgjegjësinë që u takon. Mund të ndërhyjë ambasadori Bosch, mund të ndërhyjnë ambasadorë të tjerë mbi atë që ndodh në Shqipëri, por nuk janë ata që duhet të vendosin se si duhet të zgjidhet kjo çështje. Do të ishte shumë keq për ne në qoftë se do të mbërrinim në një pikë të atillë dhe do të shkojmë drejt kësaj në rast se me të vërtetë nuk do të behet asgjë le të themi sot, nesër dhe pasnesër”, theksoi më tej Godo. Në të njëjtën kohë sipas politikanit të njohur të së djathtës Qeveria duhet të gjejë mundësinë për të siguruar jetën e grevistëve. Godo tha se Berisha nuk mund të shpërndajë grevën, por të merren masa për shëndetin e militantëve dhe deputetëve socialistë. “Kur jeta e dikujt kërcënohet atëherë medoemos shteti duhet të ndërhyje. Duhet gjetur forma se si. Berisha nuk mund t’i shpërndajë me dhunë ata, nuk mund t’i shpërngulë. Duhet të marrë masa të tjera në mënyrë që të jemi të gjithë të sigurt, të mos jetojmë në çdo orë me ankth se aty nuk do të ngjasin gjëra tragjike”, tha Godo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›