E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat: Do t’i shtrëngojmë kreditë



Në rast se në vitin 2009 kriza ekonomike nuk e preku qenësisht ekonominë shqiptare, viti 2010, do të jetë viti i krizës reale. Parashikimi i zymtë vjen nga sondazhi i Bankës së Shqipërisë. Në fillim të vitit Qeveria deklaroi se rritja ekonomike e vendit nuk do të nxitej nga rritja e investimeve të Qeverisë, por do u lihej në dorë biznesit dhe bankave. Në fakt, Qeveria iu përmbajt premtimit të saj dhe ka shkurtuar me 20 për qind të gjitha investimet, por duket se bankat nuk kanë ndërmend të rritin kreditimi. Sondazhi i fundit i publikuar nga Banka e Shqipërisë tregon qartë se bankat e nivelit të dytë nuk kanë si synim rritjen e kreditimit, por në të kundërt do të shtrëngojnë kushtet për dhënien e kredive, si për bizneset, ashtu edhe për individët. “Pritjet e bankave sinjalizojnë se lehtësimi aktual i standardeve të miratimit të kredive të reja do të jetë i përkohshëm dhe pritet të mos vazhdojë në tremujorin e dytë të vitit 2010, megjithëse kërkesa e ardhshme pritet të rritet si për bizneset, ashtu edhe për individët”, theksohet në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues. Në kushte të tilla, kur Qeveria nuk do të rrisë investimet dhe bankat nuk do të lehtësojnë kreditë, ekonomia shqiptare nuk ka asnjë shans të realizojë premtimet e politikanëve për rritje ekonomike.
Kredia për biznese
Sipas sondazhit, në pjesën e parë të këtij viti, bankat i kanë lehtësuar kushtet për kredi vetëm për korporatat, ndërsa i kanë përkeqësuar ato për bizneset e mesme dhe të vogla. Nga ana tjetër, bankat vazhdojnë të rritin marzhin e fitimit nga kreditë, pra diferencën mes normës së depozitave dhe asaj të kredive. “Politika lehtësuese e bankave gjatë tremujorit të parë të vitit 2010 është ndjekur kryesisht nëpërmjet zbatimit të komisioneve më të ulëta për kredinë e miratuar. Nga ana tjetër, kushtet e tjera që lidhen me koston e kredisë kanë ndihmuar në zbatimin e një politike shtrënguese. Bankat kanë rritur marzhin për kreditë në përgjithësi dhe ato me rrezik të lartë në veçanti, gjatë tremujorit të parë të vitit 2010. Shtrëngimi i standardeve është zbatuar gjithashtu, edhe nëpërmjet rritjes së kërkesës për kolateral.”
Parashikimi për bizneset
Sipas raportit të bankës, edhe pse pritet që kërkesa e biznesit për kredi të rritet, sërish bankat do të shtrëngojnë kushtet për të dhënë financime. “Prirja drejt lehtësimit të standardeve, e regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2010, nuk pritet të vijojë në tremujorin e ardhshëm. Për tremujorin e dytë të vitit 2010 ekspertët e bankave presin shtrëngim të standardeve të kredisë. Balanca neto e pritjeve për standardet e kredisë, akorduar bizneseve rezulton -10.6 për qind. Shtrëngimi i standardeve të kredisë akorduar bizneseve pritet si për kredinë dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe në atë dhënë korporatave. Balanca neto e pritjeve është përkatësisht -8.2 për qind dhe -20.4 për qind. E njëjta prirje pritet edhe për kredinë me qëllim financimin e kapitalit qarkullues dhe për kredinë për investime. Pavarësisht kthesës së pritur drejt shtrëngimit të mëtejshëm të standardeve të kredisë, ekspertët e bankave presin një kërkesë për kredi më të lartë në tremujorin e dytë të këtij viti. Kjo pritet si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu dhe për korporatat e mëdha.”
Individët
Kriza po ndihet hapur te individët. Edhe pse tremujori i parë i 2010-ës ishte optimist për kushtet e kredisë dhënë bizneseve, për individët bankat vazhdojnë të jenë skeptike. Dhe arsyeja është besueshmëria e individëve për kthimin e kredisë. Sipas raportit, niveli ekonomik i individëve mban peshën më të madhe në shtrëngimin e kreditimit. “Gjendja financiare e individëve është faktori kryesor. Gjendja e kredive me probleme dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme janë renditur gjithashtu nga bankat si faktorë që kanë dhënë kontribut në kahun shtrëngues të standardeve. Bankat kanë forcuar standardet e kreditimit nëpërmjet rritjes së kërkesës për kolateral dhe rritjes së marzheve si për kreditë në përgjithësi, ashtu edhe për ato me rrezik më të lartë”.
Parashikimi për individët
Për tremujorin e dytë të vitit 2010 bankat presin të shtrëngojnë standardet e kredisë për individët, por në një shkallë më të ulët krahasuar me standardet e aplikuara në tremujorin e parë të vitit. “Ky zhvillim pritet të jetë në të njëjtin nivel si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për atë për blerje banese. Ekspertët e bankave presin që gjatë tremujorit të dytë të vitit kërkesa e individëve për kredi të jetë më e lartë. Balanca neto e pritjeve për kërkesën shënoi vlerën + 11.3 për qind.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›