E Diel, 1 Nëntor 2026

Gogu: Dhuna nuk është alternativë politike, ligjet nuk i bëjnë flakadanët

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu reagoi sot pas seancës plenare me tensione në Kuvend, duke theksuar se mazhoranca ka përmbushur detyrimin kushtetues për të votuar ligje në shërbim të qytetarëve, pavarësisht përpjekjeve për bllokim të punimeve.

“Sot në Kuvend bëmë atë që qytetarët na kanë ngarkuar: të votonim ligje, duke debatuar e duke miratuar ligje që u shërbejnë atyre, për ekonominë e tyre, për mbrojtjen sociale dhe zhvillimin e vendit tonë”, u shpreh Gogu në reagimin e tij.

Ministri kritikoi ashpër sjelljen e opozitës, duke theksuar se seanca nuk u shoqërua me debate parlamentare apo përplasje argumentesh, por me akte dhune dhe kaosi.

Ai nënvizoi se mazhoranca e ka bërë të qartë që në fillim të sesionit parlamentar se dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë alternativë politike.

“Dhuna nuk është alternativë politike dhe ne nuk do rrimë as ta dëshmojmë; kaosi nuk e zëvendëson votën e shqiptarëve dhe flakadani nuk bën dot ligje. Ligjet i bëjnë njerëzit”, tha ai.

Sipas ministrit, projektligjet u miratuan sepse shteti nuk mund të ndalet dhe nuk mund të dorëzohet përballë papërgjegjshmërisë.

“Kjo opozitë është e dëshpëruar për një protestues më shumë ditën e hënë, për një kamerë më shumë. Për këtë është gati të djegë Kuvendin e shqiptarëve. Kur nuk bind dot me ide, përpiqet të imponohet me dhunë dhe me tym”, u shpreh Gogu.

Në fund të reagimit, ministri theksoi se mazhoranca ka zgjedhur një rrugë tjetër. “Ne kemi zgjedhur ligjet, punën dhe shërbimin për qytetarët. Ata kanë zgjedhur sherrin në ekran, ne zgjedhim vendimet për shqiptarët”, tha ai, duke shtuar se Parlamenti është shtëpia e demokracisë dhe nuk mund të kthehet në skenë dhune.

“Debati bëhet me fjalë, ku përplasen idetë. Vendimet merren me votë. Kështu ndërtohet shteti serioz dhe kështu mund të ecë Shqipëria përpara”, përfundoi Gogu.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›