E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Do kërkojmë seancë të jashtëzakonshme për imunitetin e Ballukut

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se deputetët e opozitës u ngritën në lartësinë e detyrës me protestën e tyre në Kuvend, ku penguan zhvillimin normal të seancës plenare.

Sipas Bardhit, grupi parlamentar i PD-së është i vendosur për të mos lejuar asnjë seancë normale.

“Shqiptarët nuk mund të jenë peng i një qeverisjeje të korruptuar dhe që bashkëpunon me krimin e organizuar. Unë dua t’i shpreh mirënjohjen secilit deputet të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që u ngrit sot në lartësinë e detyrës të tij për t’i shërbyer interesit publik”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se nesër do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, ndërsa bëri të ditur se vota e tyre do të jetë “pro drejtësisë dhe pro përgjegjësisë së një zyrtari të korruptuar”.

“Nuk do të ketë asnjë mundësi askush në atë Kuvend që ta mbyllë korrupsionin e Ballukut në kasafortë”, tha Bardhi.

Gjithashtu Bardhi dënoi, sipas tij, edhe shkeljen e procedurës parlamentare kushtetuese dhe ligjore nga ana e Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, duke mos u dhënë deputetëve të opozitës provat e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.

“Ky nuk është rasti i parë që vjen një kërkesë nga SPAK për të kërkuar autorizim për të hequr lirinë e një deputeti apo ministrit. Procedura kushtetuese është krejt e qartë. Nuk ka asnjë urdhër që ndalon deputetët, anëtar të Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit dhe Mandateve, të njihen me materialet e plota të sjella nga Prokuroria e Posaçme”, vijoi Bardhi.

Sipas Bardhit, ka një urgjencë trajtimi më prioritet i kësaj çështje nga Kuvendi dhe dhënia e autorizimit në kohën më të shpejtë të mundshme.

“Do kërkojmë mbledhjen e Kuvendit, në një sesion të jashtëzakonshëm, për të dhënë autorizimin për heqjen e lirisë ndaj të pandehurës Balluku”, u shpreh ai.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›