E Diel, 1 Nëntor 2026

Gogu: E drejta për të protestuar e garantuar, dhuna sjell pasoja ligjore

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, përsolli sot një mesazh ndërgjegjësues për të rinjtë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar, por ushtrimi i saj nuk justifikon aktet e dhunës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gogu nënvizon rëndësinë e respektimit të ligjit gjatë ushtrimit të së drejtës për protestë, duke paralajmëruar se përfshirja në akte dhune mund të sjellë përgjegjësi penale.

“E drejta për të protestuar është e garantuar. Dhuna nuk është pjesë e saj. Përfshirja në akte dhune mund të sjellë përgjegjësi penale. Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR) ndërgjegjëson të rinjtë për përgjegjësinë dhe pasojat ligjore. Të mbrojmë të drejtat, duke respektuar ligjin”, shkruan ministri i Drejtësisë.

Në videon e ndarë në mediet sociale nga ministri, Elsa Salillari, përgjegjëse e sektorit në Qendrën e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, theksoi se e drejta për të protestuar shoqërohet me përgjegjësi individuale për veprimet e kryera.

“Ushtrimi i të drejtës për të protestuar nuk përjashton të drejtën e përgjegjësisë individuale për veprime që përbëjnë vepër penale, sipas legjislacionit ne fuqi. Dhuna dhe veprime të tjera të parashikuara në Kodin Penal sjelli pasoja ligjore”, tha ajo.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›